(2L ONLINE) – /Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës, ku ka rekomanduar për Kuvend Komunal Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2015-2017, vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në kompanitë “Ecohigjiena” dhe “Kosovatrans” si dhe vendimin për emërimin e Komisionit për plotësimin e emërtimeve të rrugëve dhe numërimit të adresave në territorin e Komunës së Gjilanit.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se anëtarët e kësaj trupe komunale morën pjesë edhe në debatin me qytetarë dhe nëse ata nuk kanë për të thënë diçka tjetër në lidhje me KAB-in, atëherë do të ishte mirë ta rekomandonin për Kuvend Komunal, ku mund të hapet një debat më i gjerë, nëse vlerësohet i nevojshëm.
Sa i përket Komisionit për emërtimin e rrugëve, arsyetimin e ka dhënë Fehmi Agushi, zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit, i cili ka thënë se kërkesa bazohet në projektin për digjitalizimin e adresave në Kosovë, duke nënvizuar se Komuna e Gjilanit ka ngelur prapa në këtë proces, në krahasim me komunat tjera.
Komisionet e Aksionarëve për kompanitë “Ecohigjiena”, që vepron në partneritet publiko-privat dhe “Kosovatrans” si kompani publike, nuk janë votuar nga opozita (PDK), e cila ka abstenuar.
Përndryshe, Bujar Nevzati (PDK) ka përsëritur kërkesën për t`iu ofruar në Kuvend Komunal listën e të punësuarve në periudhën e kësaj qeverisjeje si dhe listën e projekteve të realizuara, duke thënë se nuk heq dorë nga këto kërkesa.
Kurse Sahit Abazi (PDK) kërkoi mbajtjen e një seance të veçantë për arsim, ku do të diskutohet çështja e mësimdhënësve që pritet të humbasin vendet e punës për shkak të shuarjes së klasave të 13-ta.
Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se ajo e ka proceduar me kohë kërkesën e Nevzadit, por mbase është kuptuar si punë e kryer përgjigja që dha kryetari i Komunës në seancën e kaluar të Kuvendit Komunal, në lidhje me këto interesime.
Ndërkaq sa i përket kërkesës për seancë të veçantë të Kuvendit Komunal, ajo ka thënë se në bazë të informatave që ka, është gjetur një zgjidhje për problemin e mësimdhënësve që rrezikojnë të mbeten pa vende pune.
Ndryshe, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se Kuvendi Komunal nuk do të shkojë në pushim kolektiv as gjatë verës, sepse do të ketë seanca edhe në korrik dhe gusht dhe nëse është e nevojshme mund të mblidhet për të diktuar edhe çështjen e ngritur nga Abazi. /2L ONLINE/