Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur sot takimin e parë në përbërjen e re, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal të Gjilanit propozim-vendimin për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), propozim-vendimin për lidhjen e marrëveshjes për kryerjen e shërbimeve komunale me NPL “Tregu”, raportin e punës për vitin 2021 të Komisionit Komunal të Aksionarëve të Ndërmarrjeve Publike Lokale ‘Stacioni i Autobusëve’ dhe ‘Tregu’, propozim-vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve komunale të aksionarëve në ndërmarrjet publike si dhe propozim-vendimin për anulimin e vendimit për miratimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) 2021-2029.
Fillimisht, Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka sqaruar se vonesa në themelimin e KPF-së ka ndodhur për arsye se është dashur të pritet interpretimi ligjor nga Ministria sa i përket përbërjes së kësaj trupe komunale, përndryshe probleme të tjera nuk ka pasur.
Sa i përket anulimit të vendimit për miratimin e PZHK, opozita ka shprehur rezervat e saj, duke thënë se kjo nuk është e nevojshme të bëhet.
Avdyl Aliu (LDK) tha se PZHK është miratuar në seancën e fundit të përbërjes së kaluar të Kuvendit, sepse është dashur të ndiqen procedurat paraprake dhe se punët janë bërë sipas një rendi, ndërsa vërejtja e Ministrisë ka të bëjë me aspektin teknik.
‘Për ne, PZHK është miratuar në Kuvend dhe duhet të hiqet vetëm emërtimi i institutit INS, siç ka rekomanduar Ministria’, tha Aliu.
Por drejtori i Urbanizmit, Ali Arifi, tha se arsyet pse duhet të anulohet vendimi për PZHK, janë përmbajtjesore, procedurale dhe teknike.
‘Qëllimi ynë nuk është zhvlerësimi i punës që është bërë, por korrigjimi i saj aty ku është parë e nevojshme’, ka thënë Arifi, duke shtuar se janë konstatuar disharmoni në mes të Planit Zhvillimor Komunal 2021-2029 dhe Raportit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Planin Zhvillimor Komunal.
Bujar Nevzati rikujtoi se PZHK ishte miratuar pa konsensus, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, ndërkohë që rikthimit të kësaj pike në Kuvend i dha mbështetje edhe Krenare Latifi-Kçiku.
Kryesuesi Arianit Sadiku tha se ka arsye të qëndrueshme pse duhet të anulohet vendimi, ndërkohë që u dakordua me opozitën për të pasur një takim konsultues dhe sqarues të hënën e ardhshme, në Drejtorinë e Urbanizimit, përpara se të mbahet seanca e Kuvendit, më 26 maj, ku kjo pikë duhet të procedohet.
Kurse sa i përket propozim-vendimit për bartjen e shërbimeve komunale te NPL ‘Tregu’, sqarimet e nevojshme i dha Bardhyl Syla nga Drejtoria e Arsimit, i cili tha se marrëveshja ka të bëjë me mirëmbajtjen dhe sigurimin fizik të objekteve komunale, ku përfshihet administrata, shëndetësia primare dhe arsimi, që deri tani janë kryer nga operatori ekonomik.
‘Kjo marrëveshje jo vetëm që siguron shërbime me një kosto më të ultë, por ka të bëjë edhe me realizimin e të drejtave të punëtorëve, ku parashihet të angazhohen 139 prej tyre’, ka thënë Syla.
Marrëveshja u përkrah në parim edhe nga anëtarët tjerë të KPF, me disa pikëpyetje nga Ramiz Ramadani, sa i përket kohëzgjatjes së saj për tre vjet, përkatësisht nga Nazim Gagica, në lidhje me procesin e rekrutimit, duke e ditur se aty ka punëtorë që dikur janë pranuar me shkollim fillor e që tani, me ligjet e reja, nuk mund të konkurrojnë fare.
Mimoza Kadriu tha se kjo marrëveshje ofron një zgjidhje të mirë si për Komunën, ashtu edhe për punëtorët. /2LONLINE/