Komiteti për Politikë e Financa (KPF) ka miratuar të martën raportin e punës të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, për vitin 2016 dhe e ka rekomanduar atë për Kuvend Komunal.
Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se një diskutim më i gjerë për raportin e punës, do të zhvillohet në seancën e Kuvendit Komunal, që do të mbahet javën e ardhshme.
Në raportin e punës, Haziri nënvizon të arriturat dhe sfidat e periudhës njëvjeçare, përkatësisht të vitit të tretë të qeverisjes së tij. “Gjilanin, tanimë e kemi kthyer në një qytet meritor, megjithëse sukseset tona të deritanishme nuk kanë qenë pa sfida dhe pa barriera”, ka thënë Haziri.
Më tutje, Haziri ka nënvizuar pikat kyçe të punës së kaluar dymbëdhjetë mujore, në të gjithë sektorët e qeverisjes, për të konstatuar se në Gjilan janë bërë investime të vrullshme në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, kanalizime, trotuare dhe të tjera, si në qytet, ashtu edhe në fshatra.
Në prokurim publik, kemi realizuar 82 aktivitete, pjesa dërmuese kanë qenë investime kapitale, si asfaltimi i rrugëve, kanalizimet, ndërtimi i çerdhes në lagjen Dardania si dhe projekte tjera, si palestra e sporteve në fshatin Zhegërdhe të tjera, thuhet në raport.
Haziri ka veçuar edhe bashkëpunimin e mirë me organizata dhe investitorë të huaj, në shumë projekte, si me USAID-in, BE-në, KFW-në, UNDP-në, me ambasadat dhe qeveritë e vendeve mike, si Austria, SHBA, Gjermania, Turqia, Zvicra etj.
“Në përgjithësi, 2016-ta është vit i sukseseve që kanë tejkaluar sfidat dhe vështirësitë, veçanërisht në fushën e personelit, ku jemi detyruar, në harmoni me ligjin, të suspendojmë përkohësisht 24 punonjës, që janë të ndërlidhur më aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndaj ish-qeverisjes dhe mungesa e tyre ka qenë një hendikep i madh për funksionimin edhe më efikas të administratës sonë”, ka thënë Haziri.
Po ashtu KPF ka miratuar edhe projekt-rregullore për punën e arkivit dhe dokumentacionit arkivor të administratës së Komunës, fondin e ekselencës, propozim-vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim të personave fizikë ose juridikë, propozim-vendimin për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal si dhe propozim-vendimin për hartimin e planit rregullues të hollësishëm “Qendra 1”, që janë kthyer në rishikim me kërkesë të MMPH, siç ka thënë Bunjaku-Rexhepi, për disa përmirësime teknike, pastaj raportin e aktivitetit të KKSB-së për vitin 2016 si dhe planin e punës së KKSB për vitin 2017 dhe të gjitha këto i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.
Përndryshe, SahitAbazi, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së ka kërkuar që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të trajtohet edhe njëherë problemi i Teatrit të Qytetit, ku për herë të tretë është anuluar konkursi për drejtor, derisa në këtë institucion ka edhe vonesa të konsiderueshme të ndarjes së pagave, ka thënë ai.
Ndërkaq Bujar Nevzati (PDK) ka kërkuar që kuvendarët të njoftohen për mos pagesën e 62 punëtorëve të QKMF-së, për pesë muaj, pastaj për mbylljen e shkollës së Agrobiznesit në lagjen “Zabeli” si dhe për një peticion që ai ka marrë nga banorët e një ndërtese tek “Fitorja”.
Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se çështja e Teatrit është diskutuar disa herë në Kuvend Komunal, duke nënvizuar se gjendja në këtë institucion, është normalizuar mirë dhe ndërkohë pritet të zgjidhet edhe drejtori. Ajo ka sqaruar se anulimi i konkursit është bërë për shkak se nuk kanë aplikuar pesë kandidatë, aq sa duhet të jenë për të qenë i rregullt procesi.
Sa i përket kërkesave tjera të opozitës, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se ato do t`i përcillen kryetarit të Komunës dhe ai, me siguri, do japë përgjigje në Kuvend Komunal, qoftë në kuadër të prezantimit të raportit të punës, ku kultura përbën një nga segmentet e qeverisjes, qoftë në pikën nën të ndryshme.