Komiteti për Politikë e Financa (KPF) të martën, në mbledhjen e tij të radhës, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-vendimin për shpalljen e interesit të ligjshëm publik për nevoja të ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza në fshatin Uglar, duke i hapur kështu rrugë realizimit të një projekti jetik për qytetarët e kësaj komune. Projekti mbështetet nga Qeveria e Kosovës, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) dhe Banka Investuese Evropiane (BIE).
Po ashtu, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe marrëveshjen për binjakëzim ndërmjet qyteteve Gjilan-Berat, bartjen e mjeteve nga gala mbrëmja, në shumë prej 10 mijë euro, në fondin për studentë, kërkesën e Drejtorisë së Arsimit për ndarjen e mjeteve financiare për 75 bursa për studentë, propozimin për emërtimin e ambulancës në Zhegër, projekt rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, projekt rregulloren për orarin e punës së subjekteve afariste, propozim vendimin për themelimin e komisionit vlerësues për zbatimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale, propozim vendimin për themelimin e komisionit për vlerësimin e ankesave në procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, propozim vendimin për caktimin e dy lokacioneve për zyra të gjendjes civile në Gjilan.
Po ashtu, KPF është dakorduar që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të diskutohet edhe për kërkesën e pronarëve të tokave në ish-kampin “Montith”.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Komitetit, ka thënë pavarësisht se pronarët janë informuar nga Drejtoria e Kadastrës për gjendjen në këtë zonë, kjo kërkesë do të diskutohet edhe në Kuvend Komunal, ku drejtoria përkatëse do të sjellë një informatë të plotë rreth zbatimit të planit urban në ish-hapësirën e kampit “Montith”.
Ndërkaq, KPF ka votuar për heqjen nga rendi i ditës të propozimit për emërimin e nënkryetarit të Komunës për komunitete si dhe të propozimit për zgjedhjen e zëvendës kryesuesit të Kuvendit për komunitete. Po ashtu, nga rendi i ditës u hoq edhe propozimi për krijimin e të drejtës së ndërtimit në dy pjesë të ngastrave kadastrale, të cilat janë prona komunale, meqë nuk i mori votat e mjaftueshme për t`u rekomanduar për Kuvend.
Sa i përket rregullore për taksa, ku ndryshime janë propozuar te administrata komunale, shërbimet publike, urbanizmi, kadastra si dhe te biblioteka e qytetit, Riza Abdyli ka kërkuar që të hiqet tarifa për lojërat e fatit, meqë ato janë ndaluar nga qeveria dhe të rishikohen tarifat për pikat e karburantit, kontrollet teknike, shfrytëzimi i hapësirave publike, prerja e asfaltit si dhe disa të tjera.
Te rregullorja për orarin e punës, janë propozuar disa ndryshime, të cilat, siç ka thënë Sadri Arifi kanë të bëjnë me ditën e diel dhe ditët e festave zyrtare, kur pos furrtarëve, salloneve të ondulimit, floktarëve dhe pikave të shitjes të shtypit ditor, nuk do të punojnë vetëshërbimet, supermarketet, shitoret tregtare ushqimore, shitoret tregtare të tekstilit, shitoret e lëkurë këpucëve, të teknikës së bardhë dhe veprimtarive tjera jo ushqimore, gjellëtoret, qebaptoret dhe autolarjet dhe as kompanitë ndërtimore.
Anëtarët e KPF patën dallime sa i përket kësaj pike, sidomos për qendrat e mëdha tregtare, duke kërkuar që atyre t`u lejohet të punojnë edhe ditëve të diela, përndryshe qytetarët do të jenë të detyruar të shkojnë në qytetet tjera.