Me Hekuran Kryeziun të gatshëm, pozita e mesfushorit defensiv ka qenë prej më stabileve në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Në mungesë të Kryeziut, ajo pozitë është shndërruar prej më problematikeve.
Përzgjedhësi Bernard Challandes, ka provuar disa lojtarë në këtë pozitë, duke përfshirë Idriz Vocën, Ibrahim Dresheviqin, Anel Rashkajn, por gjërat nuk kanë funksionuar ashtu siç është synuar.
Kryeziu, më në fund, po kthehet në fushën e blertë dhe kështu, Kosovës po i kthehet “motori” i mesfushës para ndeshjeve të vlerësuara si shumë të rëndësishme. Kosova më 26 mars, luan në udhëtim ndaj Maqedonisë Veriore në gjysmëfinale të plejofit për “Euro 2020”.
Deri atëherë, 26-vjeçari Kryeziu, pritet të gjejë ritmin dhe formën që e synon. Dhe me shumë mundësi në partneritet me Herolind Shalën pritet që Kryeziu të jetë pikë e fortë në lojën e “dardanëve”.
Kryeziu nuk ka luajtur për kohë të gjatë. Kishte pësuar lëndim të rëndë të gjurit më 19 prill të vitit të kaluar. Në fillim të këtij viti, nisi të luante ndeshje përgatitore me Zuerichun.
Me shumë mundësi, do të startojë për Zuerichun zviceran në përballje me Luzernin, në kuadër të xhiros së 19-të të Superligës “helvetike”. Luzerni është ish-skuadra e Kryeziut.