Kombëtarja e Kosovës U16 në konkurrencën e femrave ka dalë fituese në turneun zhvillimor të UEFA-s, që u mbajt në Estoni.
Të përzgjedhurat e Kushtrim Munishit edhe në ndeshjen e tretë të këtij turneu kanë shënuar fitore dhe atë me rezultat bindës, 5:1, në duel me Lihtenshtajnin. Rezultatin e ndeshjes e zhbllokoi Loreta Lulaj, me golin e shënuar në minutën e 20-të, me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë.
Ndërkaq, në pjesën e dytë ishin vashat tona që e mbizotëruan plotësisht ndeshjen, duke shënuar edhe katër gola tjerë. Rezultatin në 2:0 e shtoi Alketa Rama, në minutën e 61-të. Më pas ishin futbollistet e Lihtenshtajnit që shënuan për ta ngushtuar epërsinë në 2:1, por ky gol vetëm sa i nxiti futbollistet tona për t’u shfaqur edhe më këmbëngulëse në sulm.
Si rrjedhojë fillimisht Njomza Osmani, në minutën e 73-të shënoi për 3:1, kurse tre minuta më vonë Albulena Guri shënoi për 4:1.
Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vulosi Lumbardha Misini, në minutën e 80-të. Kësisoj, Kombëtarja e Kosovës U16 shfaqi potencial të mirë në këtë turne, duke dëshmuar se futbolli i femrave në Kosovës është duke u zhvilluar me ritmin e duhur dhe në të ardhmen sigurisht se nuk do të mungojnë as sukseset më të mëdha.