Si është shndërruar Kosova në shtet oligarkik, dhe sistem qeverisës që udhëhiqet nga oligarkët për oligarkët tjerë por që janë kundër shumicës.
Shkruan: Liridon Rama
Për sqarim “Sistem Oligark” nënkupton – Formë qeverisjeje në kohën e vjetër e në mesjetë, kur pushtetin e kishte në duart e veta një rreth shumë i ngushtë skllavopronarësh e aristokratësh të pasur, të cilët shtypnin e shfrytëzonin pa mëshirë robërit e shtresat e varfra; përmb. grupi i vogël sundues në këtë formë qeverisjeje. Oligarkia skllavopronare (aristokrate).
Duke marrë shkas ngjarjet e viteve të fundit lehtësisht mund të kuptojmë se pse sistemi qeverisës në Kosovë ngjason dhe vepron sikur të ishte sistem oligarkie dhe jo demokracie.
Si po manifestohet oligarkia, këtë mund ta kuptoj secili nga ne pasi që pabarazia vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë, ndërsa mirëqenia po humbet çdo ditë e më shumë.
Në kurriz të pa punëve dhe të punëtorëve, shohim se si individ dhe politikan të lidhur me pushtetin kanë arritur të ndërtojnë mega-korporata kryesisht bazuar në fuqinë punëtore që paguhet shumë lirë dhe keqpërdoret dhunshëm. Kësisoj, këto vite të pasluftës dhjetëra e qindra janë pasuruar tej-mase dhe jetojnë më mirë se miliarderët evropian, por dhjetëra e qindra mijëra qytetarë janë varfëruar skajshëm.
Ata (biznesmenët dhe politikanët) kanë arritur të ndërtojnë një sistem ligjor të mangët dhe që punon në favor të tyre, në këtë mënyrë, shkeljet e tyre të ligjit ndëshkohen shumë rrallë . Dhe gjithë këtë e arrijnë përmes një fushate lobimi të shtrenjtë, që u jep atyre të drejtën të influencojnë politikën.
Ata gjithashtu përpiqen vazhdimisht t’i mbanin njerëzit e thjeshtë të varur ekonomikisht prej oligarkëve për mbijetesën e tyre.
A mund ta quash demokraci një sistem nëse shumica udhëhiqet nga politikan dhe biznesmen që janë pakicë, dhe që shfrytëzon kapitalin për interesa vetëm personale, familjare dhe biznesore?
A konsiderohen vendime demokratike, ato vendime që kanë rëndësi esenciale për shumicën, por që askush nga shumica nuk pyetet për to?
A vlerësohet demokratike nëse votuesit në kohë zgjedhjesh votojnë lider tjerë politik, por marrëveshjet e fshehura (para) politike-biznesore marrin pushtetin përsëri?
Thelbi i demokracisë qëndron në pjesë-marrjen aktive dhe të lirë të shtetasve në jetën politike shtetërore të vendit të tyre. Pa pasur një pjesëmarrje të gjerë aktive qytetare demokracia fillon të zbehet, të nëpërkëmbet dhe të bëhet vetëm mbrojtëse e një rrethi vicioz grupesh.
Pra historikisht është dëshmuar që elita sunduese duhet të mbetet e bashkuar që një oligarki të mbetet në pushtet, populli duhet të ndahet, që të mos të jetë në gjendje të rrëzojë shtypësit.
Këtë mënyrë partitë politike në Kosovë kanë arritur që të krijojnë një polarizim të skajshëm të shoqërisë. Një pjesë e shoqërisë është e lidhur me pushtetin aktual , pastaj një pjesë tjetër që është e lidhur me opozitën dhe bashkërendësit e saj, por po ashtu kemi një shumicë të madhe që janë indiferent, të lodhur, ose siç mund të i quaj të dorëzuarit.
Pse i quaj të dorëzuarit është sepse gjej mbështetje në mënyrën se si demokracia liberale manifestohet. Pra kur qytetari ndihet i përjashtuar nga vendimmarrja, njeriu shkon direkt tek dhuna ose indiferenca totale – prandaj njerëzit në demokraci duhen të ndjehen të rëndësishëm, duke aluduar se “ky” ose “ai” vendim janë marrë duke më pyetur mua ose komunitetin tim.
Sistemi politik në Kosovë nuk ka krijuar asnjëherë hapësira demokratike që ne si qytetar të ndihemi të aftë të realizojmë të drejtat tona mbi qëllime të caktuara.
Këtë pra unë e quaj polarizim të skajshëm të shoqërisë – që kryesisht manifestohet me ikje ose dorëzim.
Personalisht them që ndryshimet në vendin tonë janë larg në horizont dhe që bashkëfajësia bie mbi të gjithë ata që po bashkëpunojnë me këtë sistem që po e zbeh të ardhmen tonë si komb dhe popull.
Dua ta mbyll me një pjesë nga aktivisti i të drejtave të njeriut, Martin Luther King Jr, që në librin e tij flet mbi rrugën e gjatë drejt lirisë, demokracisë dhe zhvillimit.
“Mos u konformoni është një këshillë e vështirë në një brez, ku pasionet e marrëzisë kanë kushtëzuar në mënyrë të pavetëdijshme mendjen dhe këmbët tona për të lëvizur me rrahjen ritmike të tamburit të status quo’së. Shumë zëra dhe shumë forca na shtyjnë të zgjedhim ecjen e rezistencës më të vogël dhe na këshillojnë të mos luftojmë kurrë për një çështje pa popullaritet dhe të mos gjendemi kurrë një minorancë patetike prej dy apo tre vetash”
Martin Luther King Jr, Forca për të dashur.