Jemi shquar si popull që e mban fjalën, besën, që nuk rren, që nuk punon pas shpine, nuk fyen e njollos, që respekton tjetrin, që ndihmon tjetrin që ka nevojë, bile edhe kemi dal në rrugë veshun. Madje, goxha lakmi na kanë marr edhe të tjerët për këto vlera.
Shkruan: Ardian Azemi
Sot, këto vlera i njohim nga tregimet e më të moshuarve, sepse nuk po i prekim, s’po i përjetojmë, thjeshtë i kemi zëvendësuar me antivlera. Nuk ka mundësi që me përmbyllë një ditë të vetme pa lexua të paktën dy apo tre reagime me përmbajtje ofenduese, pornografike.
Për më keq, kjo ndodh nga individë të skenës politike, ndaj të cilëve presim të jenë shembulli më i mirë në shoqëri, sepse bartin përgjegjësi institucionale. Ky diskurs i vrazhdët me këtë përmbajtje të komunikimit politik, nuk ka mundësi me prodhua diçka të mirë, përveç dhunë verbale, dhe jo rrallë herë edhe fizike, sepse vullnetshëm po investohet në këtë drejtim.
Për fatin tonë të keq, Kosova ngadalë por shumë sigurt po rrëshqet në militantizëm dhe kësisoj argumentet dhe idetë e kulturuara nga njerëz të dijës që e thonë të vërtetën bahen të pa rëndësishme, dhe vjen në shprehje gjuha e të fortit.
Është e trishtueshme kur sheh përkrahje të madhe për politikanë që kanë devijua totalisht nga rregullat e shprehjes publike, të cilët me anë të fjalorit të rrugës ose natyrës së tij si njeri, tentojnë me e çarmatos rivalin, kundërshtarin apo mendimin ndryshe, në mënyrë që të përfitoj nga një masë e cila fatkeqësisht merr vendime me inercion, pa fajin e saj.
Lakmia për pushtet, dhe e qëndrimit në pushtet, janë faktorët kryesor që ndikojnë në degradimin e gjuhës apo paraqitjeve publike. Në mungesë të argumenteve, programeve, vullnetit për ne krijua terren për zgjidhje, duan kushtimisht të viejnë në pushtet, por edhe me ruajt pushtetin, sepse fare mirë e kanë skanua durimin e qytetarëve, prandaj nuk zgjedhin mjete për ti realizuar qëllimet e tyre.
Një gjë duhet ta kuptojnë, edhe pse mirë e di që këta e kanë të qartë; nga momenti që zgjedhësh, nuk e përfaqëson as vetën më e as familjen, por e përfaqëson popullin, institucionet shtetërore, pavarësisht nëse je president a kryeministër, ministër a deputet.
Pra, me këtë diskurs, po tentohet me krijua ndasi dhe armiqësi edhe tek përkrahësit e partive politike, të cilët pa e mendua fare dhe krejt sy mbyllur po bien në grackën e liderëve politikë të cilëve fare nuk iu ka interesua se prej nga jeton ti, une e të gjithë, si ushqehemi, si mjekohemi etj.
Për fund, është momenti i fundit që në vend të fyerjeve të sjellim respektin për tjetrin, në vend të njollosjes të argumentojmë, jo të japim epitete por të respektojmë mendimin e tjetrit edhe nëse është në kundërshtim me tuajin.
Kësisoj arrijmë me u pjekë si shoqëri e si politikë. Demokracia nuk nënkupton se mundemi me u shpreh si të duam. Demokracia ka limite.