“Kjo nismë është e rëndësishme për të gjitha vendet, të cilat janë të pasura me resurse minerale dhe si e tillë ka mbështetjen e plotë nga kryeministri Mustafa dhe ministri Stavileci. Anëtarësimi në EITI, nënkupton vendosjen dhe mbikëqyrjen e transparencës në industrinë nxjerrëse të burimeve natyrore, duke ndihmuar kështu që të ardhurat nga kjo fushë të ndikojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit “.
Kështu ka deklaruar zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi, në hapje të punëtorisë “Procesi i anëtarësimit të Kosovës në EITI (Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse), organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur KFOS.
Zogaj Gashi më tej tha se me rastin e anëtarësimit në EITI, Kosova përmirëson klimën investive për të nxitur investitor dhe institucione financiare ndërkombëtare, duke shtuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që ky proces të avancojë.
” Në këtë kontekst me agjendën e reformave evropiane dhe programin e Qeverisë i kemi dhënë përparësi qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve për investime, derisa qëllim kryesor kemi transparencën në pasuritë minerare “, tha zëvendësministrja Zogaj Gashi, duke shtuar se Kosova është e pasur me resurse minerare, të cilat paraqesin potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
” Kosova ka 11 zona të interesit që përfshijnë kryesisht zona të pasura me resurse minerare dhe investimet në këto zona do të mund të bëhen tashmë lehtësisht nga investitorë kredibil, nëpërmjet Ligjit për Investime Strategjike, i cili krijon lehtësi për kompanitë e mëdha që duan të sjellin kapitalin e tyre investues ne Kosovë” tha Zogaj Gashi .
Zëvendësministrja Gashi tha se kjo iniciativë është e paraparë edhe në dokumentin strategjik Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës 2012-2025
Nga ana e tij Ingilab Ahmadov, drejtor i EuroAsia Hub, shpjegoi se pse është e rëndësishme dhe çfarë mund të përfitoj një vend nga kjo nismë që është mjaft e famshme ku janë 52 shtete anëtare. Sipas tij EITI është proces mjaft sfidues për shkak të trekëndëshit që përshin ky proces siç janë Qeveria, kompanitë dhe shoqëria civile.
“ Qëllimi është që resurset natyrale të kthehen në pasuri publike për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm” tha Ahmedov.
Ndërsa Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i KFOS-it, ka bërë të ditur së tashmë iniciativa për anëtarësimin e Kosovës në EITI ka marr mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kjo sipas tij do t’i ndihmoj vendit edhe në transparencë rreth shfrytëzimit të resurseve minerale, përfshirë ndikimin në zhvillimin ekonomik të vendit .
Kësaj nisme i ka dhënë mbështetje edhe deputetja Sala Berisha Shala, e cila ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në EITI është i një rëndësie të veçantë respektivisht mundëson zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërkaq, Oleksiy Orlovsky anëtar i Bordit të EITI tha se është i përkushtuar ta ndihmojë Kosovën dhe Shqipërinë në hapat drejt anëtarësimit në EITI, duke shtuar se ai do t’i ofroj përvojat më të mira në mënyrë që Kosova të jetë sa më parë pjesë e EITI.
Ndryshe, standardi EITI nënkupton vendosjen dhe mbikëqyrjen e transparencës në industrinë nxjerrëse të burimeve natyrore duke ndihmuar që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit. Kësaj nisme përkrahje i kanë dhënë shumë organizata ndërkombëtare siç janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Këshilli Ndërkombëtar për Xehe dhe Metale, përfshirë Millenium Challenge Corporation (Agjencion i pavarur amerikan)