Kosova nesër fillon negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. MSA do të shënojë marrëdhënien e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së dhe një arritje të rëndësishme në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Parashihet që përfundimi i MSA-së do të kërkojë 3-4 raunde të negociatave, të cilat do të pasohen nga 3 sesione te grupeve punuese mbi: Lëvizjen e lirë të mallrave, krijimin, ofrimin e shërbimeve dhe lëvizjen e kapitalit; Përafrimi i ligjeve, zbatimi i ligjit dhe rregullat e konkurrencës; dhe Politikat e bashkëpunimit dhe bashkëpunimi financiar.
Dispozitat për çështjet e tregtisë, që është komponenti më i ndërlikuar dhe vëllimor i marrëveshjes, do të jenë pika e parë e negocimit.Sapo të përfundojnë negociatat, Këshilli i Evropës do të vendosë për autorizimin e Përfaqësueses së Lartë për të nënshkruar marrëveshjen, e cila do të hyjë në fuqi pas pëlqimit të Parlamentit Evropian dhe ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës, transmeton RTK.
Pritet që MSA mes Kosovës dhe BE-së të nënshkruhet në pranverë të vitit 2014 dhe të hyjë në fuqi në fund të vitit 2014. MSA në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës dallon prej marrëveshjeve tjera që BE- i ka zhvilluar me vendet tjera të Ballkanit. MSA mes Kosovës dhe BE-së nuk do të realizohet në formën e një marrëveshjeje të përzier, mirëpo në formën e një marrëveshjeje vetëm të BE-së.
Kjo është bërë e mundur falë risisë në Traktatin e Lisbonës, përkatësisht nenit 47, i cili në mënyrë eksplicite i akordon Bashkimit Evropian personalitet ligjor. Së dyti, meqenëse Kosova nuk njihet nga 5 shtete anëtare, shtetet anëtare kanë theksuar në direktivën negociuese se marrëveshja nuk do të paragjykonte qëndrimin e tyre ndaj statusit.
Së fundi, veçantia e kësaj MSA-je është konfirmuar nga fakti se shtetet anëtare kanë qenë të vendosura për të sqaruar se kjo marrëveshje nuk do të ndikojë në natyrën dhe fushëveprimin e marrëveshjeve të ngjashme në të ardhmen e as në pozicionin e shteteve anëtare dhe institucionit të BE-së për kompetencat.