Kosova është pjesëmarrëse në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj “Baku 2019”. Kosova po përfaqësohet nga 18 sportistë të moshës 15-18 vjeçare, të cilët përfaqësojnë pesë sporte të ndryshme: xhudo, atletikë, not, mundje dhe tenis.
Në ceremoninë hapëse, ekipit kombëtar i priu medalistja e bronztë Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018, xhudistja, Erza Muminoviq.
Në fshatin olimpik ku ekipi i Kosovës po qëndron, kudo nëpër ndërtesa shihet flamuri i Kosovës, si përfaqësuesit më të lartë shtetëror në këtë garë.
Në këtë garë ku po marrin pjesë ekipe përfaqësuese të mbi 30 shtete evropiane, aty është edhe ekipi nga Shqipëria.
E ekipet shqipfolëse nga Kosova dhe Shqipëria kanë realizuar një fotografi të përbashkët, duke e formësuar simbolin kombëtar, shqiponjën. Ky imazh ishte padiskutim fotoja e ditës nga kryeqyteti i Azerbejgjanit, Baku.
Kosova nuk e ka nisur edhe mbarë këtë garë, pasi dy sportistët e parë pjesëmarrës kanë shënuar humbjet e para.
Tenisti, Melos Nallbani pësoi humbje nga rumuni me shumë përvojë, Alin Fatu, 2:0 në sete (6:0, 6:2). Nallbani në setin e dytë deri diku ishte rival i barabartë me kundërshtarin, çka dëshmoi se ka të ardhme të ndritur.
Ndërsa, mundësja Njomëza Krasniqi nuk arriti të kalojë gjermanen favorite dhe me shumë cilësi, Rebekka March, kategoria -49 kilogramë.