Një pjesë e spektrit politik kosovar kohëve të fundit është duke e luajtur me kokëfortësi një ‘lojë’ naive, duke mos ditur apo duke anashkaluar qëllimisht, fakte dhe rrethana lidhur me bisedimet në të cilat shteti i tyre është i angazhuar tash e një kohë me Serbinë fqinje!
Shkruan: Arsim KASTRATI
Fuqitë botërore siç po duket duan marrëveshje përfundimtare në mes Serbisë dhe Kosovës.
Bisedime pa kompromise nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë.
Nuk është në rregull të thuhet që nuk na duhet njohja nga Serbia dhe anëtarësimi në OKB!
Nëse njohja nga Serbia dhe anëtarësimi në OKB bëhet me korrigjim të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast kalimi i një pjese të territorit të veriut të Kosovës do të kompensohet me territorin e Luginës së Preshevës dhe Kosova do të lirohet nga kufizimet e kushtetutës ahtisariane atëherë unë mendoj që kjo mënyrë e përfundimit të bisedimeve serbokosovare do të jetë më e mirë për Kosovën se sa mënyra sipas të cilës Serbët e Kosovës do të fitonin Republikën e tyre serbe brenda Kosovës që i bie bosnizim i Kosovës dhe bllokim permanent i saj.
Ndoshta edhe nuk ndodhë kështu, ndoshta dalin edhe zgjidhje të tjera, por siç po shihet, mënyra me korrigjim të kufirit po merr përkrahje gjithnjë e më të gjerë.
Mënyra më e mirë për Kosovën do të ishte sikur njohja nga Serbia dhe anëtarësimi në OKB të vijë pa shkëmbim territorial dhe pa asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, por në rrethanat e tanishme gjeopolitike dhe me Serbinë e sodit e cila nuk është ajo e vitit 1999, është e pamundur që ne të fitojmë gjithçka nga këto bisedime e ajo asgjë, nga ato çka ajo kërkon.
Duke i parë të gjitha këto fakte dhe rrethana, nuk është mirë që të anatemohet presidenti dhe ekipa e tij negociatore, por do të duhej që të gjitha partitë politike ti bashkëngjiteshin këtyre bisedimeve, ta japin kontributin e tyre, ta monitorojnë këtë proces dhe ta ngrisin performancën negociatore të Kosovës.
Në fund do të vendosë Kuvendi i Kosovës apo populli në REFERENDUM.
Një gjë duhet të jetë e qartë: presidenti legjitim i Kosovës po bisedon me presidentin e Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, dhe cilado marrëveshje përfundimtare do të duhej të përmbyllet me nënshkrimin dhe garancitë valide ndërkombëtare të njohjes reciproke të shteteve të pavarura dhe sovrane të Kosovës dhe Serbisë, sepse Kosova nuk zhbëhet, edhe pse ka të tillë që ashtu do të donin, por në fund do të zhgënjehen.