Në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës u mbajtën punimet e nivelit më të lartë vendimmarrës të Iniciativës rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI).
Në këtë takim, Bosnja e Hercegovina i dorëzoi Kosovës kryesimin një vjeçar me këtë Iniciativë.
Gjatë fjalimeve të mbajtura nga përfaqësues të vendeve anëtare të MARRI-t, përfshirë këtu edhe Serbinë, nuk pati asnjë kundërshtim.
Në adresimin e tij, ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, z.Ekrem Mustafa konfirmoi qartë rrugën evropiane për të cilën është përcaktuar Kosova, kurse njëherë edhe falënderoi kryesuesin e deritanishëm Bosnje-Hercegovinën për organizimin e këtij takimi.
Ministri Mustafa posaçërisht përmendi rëndësinë e projekteve të financuara nga GIZ dhe organizata të tjera.
Pas dorëzimit të kryesimit nga përfaqësuesit e Bosnje-Hercegovinës tek përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës, Ministri Mustafa morri kryesimin e takimit.
Në fjalën e tij tanimë në cilësinë e kryesuesit të MARRI, Ministri Mustafa duke iu drejtuar përfaqësuesve të vendeve anëtare, u shpreh ndër të tjera se bashkëpunimi rajonal është parim kyç dhe vlerë demokratike që duhet përfaqësuar nga vendet e rajonit.
“Ju siguroj se me kryesimin e Kosovës, MARRI do të vazhdoj të jetë një instrument I fuqishëm veç tjerash edhe i bashkëpunimit tonë. Sikurse që na lidhin shumë vlera ajo që është shumë me rëndësi, është e ardhmja e përbashkët, pra Bashkimi Evropian dhe kultivimi i vlerave dhe parimeve të tij”, përfundoi Ministri Mustafa.