Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po e pret 13 janarin për të marrë leje nga FIFA që të organizojë ndeshje miqësore ndërkombëtare për të gjitha klubet dhe përfaqësueset kosovare, pa kurrfarë kushtëzimesh.
Pas kësaj date, nuk do të shkoj larg dhe përfaqësuesja kryesore e Kosovës do ta zhvillojë një ndeshje të madhe ndërkombëtare. Kështu thonë udhëheqësit e futbollit kosovar, të cilët pretendojnë se nuk do ta kenë të vështirë për të gjet kundërshtar të fortë e të njohur në botë.
Kjo pasi ata llogarisin edhe në ndihmën e menaxherëve të licencuar nga UEFA për aranzhim të ndeshjeve miqësore, e po ashtu në kompani të ndryshme ndërkombëtare që merren me kësi organizime, shkruan ”Arena”.
Madje, menaxherët dhe kompanitë e huaj tashmë kanë nis ta kontaktojnë FFK-në, të cilës po i shprehin gatishmëri për t’u organizuar ndeshje të atilla.
Kështu thotë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu. “Ka menaxherë të lojtarëve dhe të aranzhimit të ndeshjeve miqësore. Këta të fundit na kontaktojnë. Po ashtu, kompania të cilës qysh më moti ia kemi shit të drejtat televizive interesohet për të na aranzhuar ndeshje ndërkombëtare”, thotë Salihu.