Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një deklarate ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni. Në deklaratë thuhet: Qeveria e Republikës së Kosovës është duke i përcjellë më vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni ndërsa shpreh shqetësim për rritjen e klimës konfliktuale dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë sa më të qetë dhe kujdesshme për të shmangur me çdo kusht një përshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës.
Qeveria e Republikës së Kosovës, kërkon nga autoritetet në Maqedoni që të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, konkretisht në këtë rast të mundësojë gëzimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon sigurimin e maksimumit të rigorozitetit dhe transparencës në proceset gjyqësore, në veçanti në rastin delikat që po trajtohet në Maqedoni, për të mos lënë kështu hapësirë që proceset gjyqësore të politizohen, apo të shërbejnë si bazë për kultivimin e urrejtjes ndër-etnike.
Përpos kësaj, Qeveria e Kosovës i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të Republikës së Maqedonisë që të veprojnë me maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ndjekur rrugën e dialogut dhe institucioneve për zgjidhjen e problemeve.
Po ashtu, i fton që të mos bien pre të provokimeve që vijnë prej segmenteve të caktuara të cilët synojnë tensionimin e mëtejshëm të situatës dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Këto grupime ndjekin agjenda specifike që shkojnë ndesh me interesat kombëtare prandaj ftohen qytetarët që të mos bashkëpunojnë me to e të mos bien në ndikimin e tyre.
Prandaj, të gjithë aktorët dhe faktorët e jetës publike në Maqedoni duhet të vihen në veprim për të shtensionuar situatën dhe parandaluar degradimin në dhunë të protestave që planifikohen të organizohen ditën e premte.
Të gjithë duhet që bashkërisht të punojmë që të ndërtojmë një frymë të paqes e bashkëpunimit në Ballkan sepse rruga institucionale e dialogut dhe mirëkuptimit janë forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve në shoqëri.