Përfaqesuesja e Kosovës ende i ka gjasat për kualifikim në Kampionat Evropian, përkundër se nuk arriti të kualifikohej përmes fazës së grupeve.
Për Kosovën, shpresa mbetet në m uajin mars kur do të zhvillohet edhe faza e “play-offit”.
Faza play-off do të përfshijë 16 skuadra që do të garojnë në katër ‘grupe’ për katër kombëtaret e fundit që do të kualifikohen në UEFA Euro 2020.
Gjysmëfinalet e play-offit tashmë dihen pas fundit të ndeshjeve kualifikuese. Në secilin ‘grup’, ekipet që nuk janë kualifikuar direkt përmes fazës kualifikuese të grupeve do të rankohen nga 1 deri në 4 bazuar në renditjen në UEFA Nations League (Liga e Kombeve).
Gjysmëfinalet do të luhen si vijon:
- a) Ekipi i renditur i pari luan në shtëpi ndaj ekipit të ranguar i 4-ti.
- b) Ekipi i ranguar i dyti luan në shtëpi ndaj ekipit të renditur i 3-ti.
Kur është shorti?
Shorti i fazës së play-offit për Euro 2020 do të hidhet të premten, më 22 nëntor, në orën 12:00 (kohë lokale).
Kush merr pjesë?
Ekipet kombëtare që nuk kanë arritur të kualifikohen përmes fazës kualifikuese të grupeve, bazuar në paraqitjen e tyre në UEFA Nations League – kombëtaret që u renditën më së larti në secilën ligë.
‘Grupi’ D: Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bjellorusia
Kësisoj, Kosova do të ketë punë me Maqedoninë e Veriut në udhëtim, në ndeshjen e parë (gjysmëfinale).
Nëse triumfon në gjysmëfinale, Kosova në finale të play-offit do të ndeshej me fituesin e takimit Gjeorgji – Bjellorusi. Shorti paraprakisht do të caktojë se ku do të zhvillohet finalja,
Rruga për kualifikim në Euro 2020 – e shpjeguar
20 prej kombëtareve kualifikohen përmes fazës së grupeve të kualifikimeve. Katër vendet e mbetura vendosen nga këto ndeshje në play-offit, duke krijuar kështu një ‘urë’ mes Evropianit dhe UEFA Nations League (Liga e Kombeve).
Kur do të luhen ndeshjet e play-offit?
Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 26 mars 2020 (e enjte), ndërsa finalet pesë ditë më pas, më 31 mars 2020 (e martë).
Ndeshjet pritet që të zhvillohen në ora 20:45, por mund të ketë përjashtime.