Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para miqësores së parë kundër San Marinos, e cila zhvillohet sot në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, në konferencën para kësaj ndeshjeje, ka thënë se miqësorja kundër San Marinos është e mirëseardhur, pasi do të ketë mundësi t’i shohë disa futbollistë të rinj. Ai u shpreh i kënaqur me punën dhe formën e djemve gjatë katër ditëve të kaluara, ndonëse secili prej tyre vjen në këtë grumbullim pas një sezoni të gjatë e të ngarkuar me ndeshje.
Challandes theksoi se Kosova nuk e ka mundësinë që të zgjedhë gjithmonë atë që dëshiron, por vendosi për dy kundërshtarë më të lehtë për këto miqësore (San Marinon dhe Maltën) edhe për faktin se në mars luajtën me dy skuadra shumë të forta si Spanja e Suedia.
Ndërkaq, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani ka thënë se miqësorja me San Marinon do t’u shërbejë lojtarëve të rinj për t’u dëshmuar.
“Miqësorja kundër San Marinos na shërben për grupin dhe për lojtarët e rinj. Jam i gatshëm për këto ndeshje, pas një mungese të gjatë shkaku i disa lëndimeve që pata. Kemi punuar këto ditë dhe besoj se do të paraqitemi mirë”, ka thënë Rrahmani.
Miqësorja luhet sot, në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.