9 prilli i sotëm shënon 20 vjetorin e Betejës së Koshares, betejë kjo që konsiderohet si njëra ndër betejat më të mëdha dhe më të përgjakshmet e luftës çlirimtare të UCK-së. Kjo betejë, ndër të tjerash karakterizohet edhe me thyerjen e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, që u bë nga luftëtarët e Brigadës 138-të, të komandantit Agim Ramadani.
Shkruan: Arbëreshë Kryeziu – Hyseni
Më 9 prill të vitit 1999, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye komandantin Agim Ramadani, shënuan një datë historike për vendin tonë, duke shembur murin gati 100 vjeçar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe duke zmbrapsur forcat serbe, pas sulmeve triumfuese të njëpasnjëshme të ushtarëve tanë.
Heqja e kufijve për të cilët u përgjakën tokat tona ndër vite, e edhe para 20 viteve, sot ndalohet me nenin 1.3 të Kushtetutës së Kosovës, kushtetutë kjo e hartuar në bazë të Planit të Ahtisaarit.
Neni 1.3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili bie ndesh me nenin 1.1, thotë se, “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, duke e mohuar kështu të drejtën e shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.
Por, nën anën tjetër, e kemi parasysh që kjo kushtetutë që sot shënon 11 vjetorin e ratifikimit të saj, u përcaktua nën kushtet e një të dërguari special të Kombeve të Bashkuara, që u dërgua në Kosovë për të zgjidhur çështjen e statusit. Ky i dërguar special ishte Marti Ahtisaari, i cili në shkurt të vitit 2007, bëri publik planin e tij për Kosovën, duke e vendosur fatin tonë brenda dy formulave të Serbisë, e që janë: autonomi brenda autonomisë për Serbinë dhe më shumë se autonomi, më pak se pavarësi për Kosovën.
Kur themi autonomi brenda autonomisë, këtë e kuptojmë më së miri tek procesi i decentralizimit, i cili i mundëson Serbisë të drejtën për të vendosur për punët e veta dhe për tu qeverisur sipas ligjeve të veta, brenda Kosovës.
Në pikën 1.3 të Planit të Ahtisaarit, flitet për shqiptarët dhe serbët si komunitete. Kjo i bie që na ka bërë komunitet neve që jemi popull në vendin tonë. Ne si popull ndërkohë, ishim koloni e Serbisë para luftës dhe koloni e ndërkombëtarëve pas luftës. Ishim koloni e UNMIK-ut, e ICO-ve, e Piter Faith, i cili kishte mandatin dhe fuqinë ta kthente pas cilindo vendim apo ligj që e miratonin të përzgjedhurit e popullit në Kuvendin e Kosovës. Ne përjetuam një luftë të fundit, ku humbën jetën gra, burra, vajza, djem, pleq e fëmijë të pafajshëm, u përdhunuan një numër i madh i grave, pati humbje të mëdha materiale dhe dëbime të shumta, u derdh gjak për të fituar lirinë. Ndërkohë që në planin e Ahtisaarit, njerëzit në Kosovë quhen banorë dhe jo qytetarë, gjuhë zyrtare thuhet të jetë shqipja dhe serbishtja, na mohohet e drejta për bashkim dhe i jepet e drejta për sundim bashkësisë ndërkombëtare dhe jo popullit. Ndalohet e drejta për referendum, përderisa është edhe e vetmja herë e përdorimit të kësaj fjale në këtë plan, atëherë kur ai quhet i ndaluar.
Këtë vit, të gjitha masakrat që u bënë nga paramilitarët serb ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës, po shënojnë 20 vjetorin, ndërkohë që askund nuk gjejmë të dënuar për gjenocidin serb në Kosovë. Pos shënimit të 20 vjetorit të masakrave, po bëhen 20 vjet që kur nënat kosovare janë larë në lot e shpresë, duke pritur të dëgjojnë një lajm për më të dashurit e tyre që janë të zhdukur. Ndërsa, në bisedimet me Serbinë, pala kosovare asnjëherë nuk e trajtoi këtë temë. Jo vetëm këtë, por as shumë të tjera që do të duhej të ishin prioritet dhe kusht i bisedimeve me Serbinë. Çfarë mund të bisedohet me një shtet që na vrau, na masakroi, na dogji, na bëri shkrumb e hi, na vodhi dhe po tenton të na vjedhë akoma.
E çfarë mund ti thuhet një grupi politikanësh që e përfaqësojnë Kosovën në këto bisedime, e që agjendën e këtyre bisedimeve ia përshtatin kushteve dhe kërkesave të Serbisë, madje janë të gatshëm ti lëkundin edhe kufijtë e të falin tokë. Tokën që u la me gjak nga vajzat e djemtë tanë, tokën që mbanë heroizmin e dëshmorëve të luftës, tokën historike të gjëmave të mëdha që përjetoi kombi ynë. Tokën, që sot qindra mijëra të rinj po e lëshojnë, sepse nuk na lanë vend për shpresë e as për ditë më të mira. E degraduan sistemin duke punësuar halla, teze, dajë, axhallarë, vëllezër, motra, kushërinj e fqinjë. Ndërsa të rinjtë tanë, të rinjë të dhjetësheve, të shkencës e të dijes po i lënë të ikin dhe të marrin rrugë për kudo në Evropë. Sepse qëllimi i këtij pushteti nuk është zhvillimi i vendit, por ndarja e përlarja, që të jetojë më gjatë dhe ti realizojë më lehtë projektet e veta të kapjes së shtetit.
Prandaj, duhet të jemi ne ata që e ç’kapim këtë pushtet nga hajnia dhe hapim rrugë drejt zhvillimit të vendit. Duhet të jemi ne ata që kërkojmë, duam dhe këmbëngulim në zhvillim ekonomik që sjellë punësim, në arsim cilësor që sjellë gjenerata të dijes, në shëndetësi që sjellë mirëqenie për të gjithë pa dallim. Ne duhet të jemi ata që kërkojmë, duam dhe këmbëngulim në drejtësi në punësim, në zhvillim socio-ekonomik të Republikës, e jo ti përkulemi Serbisë, duke u thirrur në liberalizim e ulëse në OKB, sepse asnjëra e as tjetra nuk na duhen, nëse ngulfatemi nga vuajtjet dhe përjetimet e shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë.
Prandaj, është koha e duhur, momenti ideal, që të gjithë bashkë, ta kundërshtojmë PANhajninë dhe vullnetin qytetarë ta shprehim në zgjedhjet e ardhshme që do të vijnë shpejtë. Sepse me PANhajninë, nuk ka progres, nuk ka zhvillim, nuk ka punësim. Me PANhajninë, ka korrupsion, ka pasurim pushtetarësh, ka vjedhje tenderësh, ka punësim familjarësh, miqsh e dashamirësh, ka lëkundje kufijsh dhe “shkëmbim territoresh” në bazë të një “kompromisi të dhimbshëm”.
Prandaj, është koha e duhur ti tregojmë se asnjë individ, asnjë parti nuk është më e fuqishme se shteti, se Republika është e popullit dhe populli dëshiron shtet të ligjit dhe drejtësisë. Sepse ligji do të jetë mbi politikën dhe shteti do të jetë i së drejtës. E ky do të jetë shteti jonë!