Rruga e njohur si Korridori i 8, që lidh tri shtete ballkanike, do të mbajë emrin e nobelistes shqiptare “Nënë Tereza”. Kështu ka propozuar kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, sipas të cilit, edhe një bankënotë e re e Maqedonisë do ta ketë figurën e saj. Ky propozim i shefit të shtetit maqedonas pritet të miratohen nga Qeveria e Shkupit në njërën nga mbledhjet e saj. Këto komente kryeministri Gruevski i ka bërë në një intervistë dhënë gazetës indiane “Times of India”.
Sipas Gruevski, autostrada më e rëndësishme në rajon, me gjatësi prej 300 kilometrash, do ta mbajë emrin e “Nënë Terezes”, dhe se kjo rrugë lidh Shkupin me Bullgarinë dhe Shqipërinë, një pjesë e së cilës do të duhet të përfundojë në vitin 2017. Kjo rrugë në antikitete quhej “Via Egnatia”.
Gazeta më e lexueshme në Indi ishte interesuar për “Nënë Terezen”, e cila kishte lindur në Shkup, ndërsa pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi në Indi, në qytetin e Kalkutës. Ajo u dallua për rolin e saj bamirës, ndërsa mesazhi i saj për paqe dhe ndihmë u çmua nga gjithë bota.
Sipas agjencisë INA, emrin e Nënës Terezë tashmë e mbajnë Qendra Klinike në Shkup, Spitali i Gjinekologjisë, Shtëpia Përkujtimore në pjesën qendrore të kryeqytetit të Shkupit.
“Nënë Tereza është simbol i ri i Maqedonisë. Pasardhësit e saj vijnë këtu, çdokush e njeh, përfshirë edhe vendet e Lindjes së Mesme”, ka theksuar Gruevski, pa përmendur origjinën e saj shqiptare dhe emrin atëror Gonxhe Bojaxhiu.
Projekte për Nënë Terezën ka paralajmëruar dhe biznesmeni indias Subrajta Roj, i cili ka promovuar tashmë ngritjen e një përmendore gjigante, të lartë 18 metra në sheshin e Shkupit. Po ashtu është paralajmëruar edhe një qendër për përkujdesje të të moshuarve në periferi të kryeqytetit të Maqedonisë.
Emri i “Nënë Terezes” ka pushtuar shumë sheshe në Shqipëri e Kosovë. Sheshi kryesor në Prishtinë mban emrin e saj, sikundër edhe Aeroporti i Tiranës në Rinas.