Në organizim të Korpusit të Paqes në Kosovë dhe mbështetur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, është mbajtur takimi me kryetarët e komunave të Kosovës, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti.
Janë ndarë informacione në lidhje me dy projekte, përmes të cilave vullnetarë të trajnuar amerikanë vendosen në fshatra dhe komuna, për të ofruar ndihmën e tyre gjatë shërbimit 24 mujor – me fokus në Mësimdhënien e Gjuhës Angleze si Gjuhë e Huaj (TEFL) dhe Zhvillim Organizativ të Komuniteteve (COD).
Ndërkohë, në komunën e Vitisë, dy vullnetar amerikan janë duke shërbyer në kuadër të këtij projekti, në dy lokalitete të kësaj komune. Në këtë takim e pranishme ishte edhe Colleen Hyland, zëvendës shefe e misionit, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, e cila e konfirmoi mbështetjen e Ambasadës Amerikane për Korpusin e paqes dhe vullnetarët.
Përndryshe, Korpusi i Paqes është një agjencion i Qeverisë amerikane i themeluar zyrtarisht me 1 mars 1961 nga Presidenti Xhon F.Kennedy dhe ka për qëllim promovimin e njohjes dhe shkëmbimit kulturor, paqes dhe miqësisë në botë.