Rastet e reja të ditës së sotme me të infektuar me koronavirus, të bëra publike nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë që, në Kosovë, numri i të infektuarve me këtë virus të kalojë njëmijëshin.
Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 208 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren dhe nga to me Me SARS-CoV-2, pra me koronavirus janë konfirmuar 14 raste.
Me këto 14 raste të reja, numri i të infektuarve në Kosovë që nga rasti i parë e deri më sot është 1 mijë e 3 raste, transmeton 2LONLINE.com.
“Nga data 08 shkurt deri më 20 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 12.406 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.003 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Ndërsa kur jemi te numri i të shëruarve, sot janë shëruar 3 pacientë, që bënë që numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot të jetë gjithsej 772.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 20 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 5.039.593 raste të COVID-19 dhe 326.903 raste të vdekjes.