Sot në bazën e KFOR-it gjerman në Prizren, u mbajt ceremonia e dorëzim-pranimit të një kontingjenti të madh me material sanitar dhe pajisje tjera të Spitalit gjerman për FSK-në.
Në ceremoni i pranishëm ishte edhe zëvendësministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, z. Agim Çeku, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama, shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade Lawrence Powell, dejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT-it), gjeneral brigade Ralf Hoffmann, komandanti i kontingjentit të 48-të gjerman të KFOR-it, nënkolonel Hans Jurgen Elsen dhe oficerë të KFOR-it dhe të FSK-së.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me këtë rast, pasi përshëndeti të pranishmit, falënderoi kontingjentin gjerman të KFOR-it, për mbështetjen e vazhdueshme për FSK-në, duke theksuar se “ne së bashku kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe koordinimin me kontingjentin gjerman për pranimin e këtij donacioni, që, neve na jep mundësi të kemi kushte dhe standarde më të mira, sa i përket kujdesit shëndetësor për pjesëtarët tanë. Bashkëpunimin që kemi filluar vite më parë do ta rrisim edhe më shumë në të ardhmen, që të jemi të pajisur sipas standardeve të NATO-s. Një falënderim të veçantë kam për kontingjentin gjerman dhe Ambasadën Gjermane në Kosovë, për dhurimin e këtij donacioni, i cili për FSK-në, ka një rol të veçantë”.
Ndërsa, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT-it), për FSK-në, gjeneral brigade Ralf Hoffmann, në fjalimin e tij shpalosi kontributin e Gjermanisë në Kosovë, që nga koha e luftës në Kosovë, duke theksuar se “deri më sot në Kosovë kanë shërbyer më shumë se 50.000 ushtarë gjermanë në kuadër të KFOR-it, të cilët kanë kontribuar në sigurinë e vendit dhe rimëkëmbjen e tij”. Ai njoftoi të pranishmit se vitin e kaluar Ministri i FSK-së i është drejtuar Ministres Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, me kërkesë për ndihmë në zhvillimin e kapaciteteve mjekësore të FSK-së, dhe ministrja Dr.Von Der Leyen i është përgjigjur pozitivisht kërkesës, duke i dhuruar FSK-së material dhe pajisje mjekësore, dhe theksoi se është nder për mua që t`i dorëzoj më shumë se 1200 artikuj mjekësorë komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama dhe drejtori i NLAT-it, gjenerali Ralf Hoffmann nënshkruan raportin e dorëzim–pranimit të donacionit nga kontingjenti gjerman i KFOR-it në Kosovë.
Me këtë rast, u tha se ndihma nga Bundesveri Gjerman nuk ka munguar asnjëherë për FSK-në dhe ky donacion do të ndihmojë ngritjen e kapaciteteve mjekësore të FSK-së, në nivelin më të lartë. Vlera e këtij donacion kap shumën prej 140.000 Euro.