/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur sot takimin e tretë me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeverisës në Gjilan, ku është konfirmuar vazhdimi i parneritetit në bashkëqeverisjen e Komunës së Gjilanit. Kjo i hapë rrugë riformatimit të qeverisjes në Gjilan, të paralajmëruar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kjo është deklarata e nënshkruar nga kryetar i Komunës dhe i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, kryetari i AAK-së, Rexhep Kadriu, kryetarja e IQL VATRA, Gentiana Shabani, kryetarja e PD-së, Selvete Shurdhani, kryetari i KDTP-së, Kadir Hysein dhe kryetari i AKR-së, Ismet Hajdini:
“Përmes kësaj deklarate politike, partnerët e koalicionit qeverisës të Komunës së Gjilanit, Degët e subjekteve politike në Gjilan, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Partia e Drejtësisë (PD), Iniciativa Qytetare Lëvizja Vatra (IQL VATRA), Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR), konfirmojnë vazhdimin e partneritietit/koalicionit në bashkëqeverisjen deri në përfundim të këtij mandati.
Duke vlerësuar lartë qëndrueshmërinë e koalicionit si dhe progresin e arritur deri më tani në të gjitha fushat e bashkëqeverisjes në realizimin e programit qeverisës të kryetarit z. Lutfi Haziri, e posaqërisht në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët, përmirësimin e transparencës, përmirësimin e klimës për zhvillim ekonomik të komunës, dhe fusha tjera të cilat janë pasqyruar edhe në raportet e kryetarit të Komunës të paraqitura në Kuvendin e Komunës; liderët e degëve të subjekteve politike pjesmarrëse në këtë deklaratë zotohen se do të vazhdojnë edhe më fuqishëm të mbështesin qeverinë komunale në realizimin e programit qeverisës të kryetarit z. Lutfi Haziri si dhe në realizimin e agjendës së plotë të Kuvendit të Komunës.
Pra në vazhdim të kësaj bashkëqeverisje do të vazhdohet me realizimin e programit qeverisës të kryetarit të komunës, i cili program ka për qëllim që përmes vlerave të qeverisjes siç janë: integriteti dhe besimi, përkushtimi për shërbime, partneriteti, inovacioni dhe përmirësimi i vazhdueshëm, performanca dhe llogaridhënia, planifikimi afatgjatë, puna ekipore, vlera e individit dhe diversiteti; do të realizojë objektivat dhe rezultatet e programit qeverisës të cilat janë pjesë përbërëse e vizionit të komunës së Gjilanit – Gjilani komunë, në të cilën vazhdimisht forcohet demokracia qytetare, sundimi i ligjit, respektohen të drejtat e njeriut, promovohet mirëqenia e qytetarit, transparenca, përmirësohen shërbimet, përmirësohen kushtet e jetesës së qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik nëpërmjet ofrimit të mundësive të barabarta, stimulohet tregu i hapur dhe lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e ideve – mbështetur në arsim modern dhe në shoqëri të dijes, në të cilën respektohen vlerat dhe traditat e qytetarit”./2L ONLINE/