Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës shqyrtoi procesin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/2021, në situatën e vazhdueshme të përballjes me pandeminë Covid-19.
Në këtë konferencë ku morën pjesë shtatë (7) Rektorë të Universiteteve Publike, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi kryesues, Prof. Dr. Alush Musaj zv. Kryesues, Prof. Dr. Marjan Demaj, Prof. Dr. Fadil Millaku, Prof. Dr. Agron Bajraktari, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani dhe Prof. Dr. Ismet Temaj, u theksua gatishmëria e të gjitha universiteteve publike të Republikës së Kosovës, që vitin akademik ta fillojnë në kohën ligjore, më 1 tetor 2020.
Për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, viti akademik do të fillojë në formë të kombinuar: në formën virtuale dhe fizike. Derisa , disa nga aktivitetet e procesit mësimor do të vazhdojnë të bëhen në formën fizike, si provimi pranues për studentët e rinj, provimet, etj., po në të gjitha rastet universitetet publike do të respektojnë masat Anti-Covid 19. Ndërsa disa aktivitete të tjera, si ligjërata, konsultime, punime seminari etj. do të vazhdohen në formatin online.
Konferenca e Rektorëve konstaton se si rrjedhojë e shtyrjes së Provimit të Maturës për 29 gusht 2020, studentët e vitit të parë do të pranohen me vonesë dhe mësimi për ta do të fillojë me një vonesë deri në dy muaj. Pavarësisht nga kjo, Konferenca e Rektorëve angazhohet që semestri për këta studentë të jetë i plotë dhe pa asnjë dëmtim të rrjedhës normale të procesit mësimor. /2LONLINE.com/