Burim HALITI
(2LONLINE) – Proceset jetësore të një shoqërie në zhvillim janë të sfidueshme dhe të mundimshme sepse sjellin shumë ndryshime të cilat ndikojnë në jetën dhe anëtarët e asaj shoqërie. Ne si shoqëri e re në kuptimin e asaj se kemi një mekanizëm shtetëror të ri, jemi duke kaluar në disa faza shoqërore fare pa i kaluar disa procese shoqërore sepse koha, dinamizmi dhe rendi shoqëror nuk na ka lejuar që të përballemi me të gjitha proceset shoqërore.
Koncepti për ndërtimin e bizneseve sociale është një nga konceptet më të reja në botën bashkëkohore sa i përket aspektit të mikro-financës,zhvillimit ekonomik dhe zhdukjes së varfërisë nga shoqëritë e pazhvilluara dhe shoqëritë në zhvillim.
Arkitekt dhe inovator i këtij koncepti të ri mikro-financiar në botë është fituesi i çmimit nobel për paqe në vitin 2006 z.MuhammadYunus, i cili është munduar që përmes këtij koncepti ekonomik të ndihmojë shoqëritë të cilat janë në varfëri ti përballojnë më lehtë varfërisë dhe të dalin nga ajo gjendje duke u angazhuar në këtë koncept për të pasur sa më shumë prosperitet në përmirësimin e jetës së qindra miliona qytetarëve të botës. Një koncept i tillë është përkrahur dhe përqafuar nga disa vende aziatike si Bangladeshi, India, Nepali etj., dhe janë asistuar me kapital për hapjen e këtyre bizneseve sociale nga shtetet evropiane e sidomos nga shteti francez.
Bizneset sociale si koncept funksionojnë në botën bashkëkohore duke u nisur nga parimi që të zhduket sa më shumë varfëria dhe jeta të bëhet sa më e standardizuar për qytetarët e atij vendi. Ata të cilët merren me zhvillimin e bizneseve sociale duhet ta kenë parasysh se si udhëheqës të firmave, kompanive dhe korporatave të ndryshme nuk do të realizojnë asnjë të hyrë nga fitimi i realizuar por të gjitha që do të fitojnë do të jetë vetëm paga të cilën do e realizojnë nga puna që e bëjnë.
Të zhvillosh biznes social nënkupton të punosh dhe të mendosh për qytetarin i cili është i prekur nga varfëria dhe nga pa mundësia për të gjete punë në mënyrë që të ju ndihmojmë atyre në përballimin e kushteve të varfërisë dhe ngritjen e standardit jetësor. Përfitues nga zhvillimi i këtyre bizneseve sociale janë qytetarët e varfër të atij shteti sepse ata përfitojnë në çmime të cilat janë shumë të favorshme për të mbijetuar.
Funksionimi dhe zhvillimi i bizneseve sociale nënkupton që një person me kapitalin e tij që e posedon ta themelojë një kompani e cila është e aftë të prodhojë ndonjë produkt ushqimor apo diçka tjetër dhe njëherit me qarkullimin ekonomik që e bën kjo kompani të mos realizojë fare kapital pronari i kësaj kompanie, por kapitalin e fituar ta fus në prodhim dhe njëherit të mundësohet që një produkt të jetë më i lirë, p.sh: nëse një kompani për prodhimin e bukës shet një bukë 0.25 cent dhe realizon qarkullim ekonomik 500.000 euro brenda një muaji dhe nga ky qarkullim ekonomik kemi një fitim prej 100.000 euro atëherë sipas konceptit të bizneseve sociale ky realizim i fituar nuk duhet ti shkojë pronarit të kompanisë por të investohet në prodhim në mënyrë që çmimi i bukës të mos jetë kaq i lartë 0.25 cent, por të jetë 0.10 cent sepse është më e përballueshme për qytetarët të cilët janë të varfër dhe kështu ndihmohen këta persona.
Në aspektin teorik kjo është dizajnuar shumë mirë, mirëpo është tejet e vështirë dhe sfiduese të realizohet praktikisht sepse:
– Një person i cili ka kapital dhe kompani ta fusë kapitalin e tij e të mos realizoj fitim përveç pagës që e merr për punën që e kryen është paksa e vështirë në këtë kohë modernë ku gjithçka duket vetëm para,
– Gjithëashtu kjo është shumë sfiduese edhe për stafin që e udhëheqin këtë kompani sepse përveç se çmimit që duhet të jetë më i lirë, nuk goxonmenaxhmenti (drejtori dhe bordi menaxhues) që të lejojë rënien në kualitetin e produktit dhe kjo është mjaftë e vështirë,
– Të gjithë të punësuarit në këto kompani duhet që të posedojnë parime humane në kryerjen e punëve të tyre sepse përveç se me punën e tyre e mbajnë një kompani, ata poashtu me punën e tyre po arrijnë që të ju ndihmojnë të tjerëve të cilët janë të prekur nga varfëria dhe
– Qytetarët të cilët janë në këtë kategori duhet ta respektojnë mundin dhe punën që të tjerët e bëjnë për të pasur çmime sa më të ulëta në produktet ushqimore të domosdoshme për jetë.
Shoqëria jonë kosovare a është e gatshme ta pranojë dhe aplikojë këtë koncept modern për ti ndihmuar qytetarët e saj ta ulin numrin e të papunëve dhe njëherit ta zhdukin varfërinë të cilat dukuri janë të pranishme tek ne.
Së pari ky koncept i zhvillimit mikro-financiar të vendit duhet:
– të trajtohet teorikisht nga njohësit e kësaj fushe tek ne,
– të përgatiten institucionet tona për ta përballuar këtë,
– të harmonizohet ky koncept me legjislacionin vendor,
– të përgatitet sektori privat i biznesit,
– të motivohen të gjithë ata të cilët dëshirojnë të i ndihmojnë të tjerët,
– të analizohet mirë se a ka nevojë shoqëria jonë për zhvillimin e këtij lloji të biznesit social etj.
Duke u nisur nga ajo se ky koncept është në dobi të qytetarëve të shoqërisë dhe në trendin e uljes së papunësisë atëherë duhet marr masat e nevojshme për ta trajtuar të paktën teorikisht këtë koncept, në mënyrë që në të ardhmen e afërt ta aplikojmë këtë koncept bashkëkohor edhe në aspektin praktik sepse dihet se një pjesë e popullsisë është në varfëri të skajshme dhe se papunësia tek ne është në një përqindje të lartë./2LONLINE/
(Burim Haliti, master i shkencave juridiko-financiare)