Miratimi i vendimit nga Qeveria e Kosovës për shpronësim të pronave të cilat preken nga realizimi i projektit: “Qarkorja e jashtme e qytetit të Gjilanit dhe lidhja e rrugës kombëtare”, është mirëpritur nga Komuna e Gjilanit.
“Vendimi për shpronësimin e kësaj rruge, është një lajm i mirë, pasi që do të krijohet një brez i ri i zhvillimit të Komunës së Gjilanit e më gjerë”, ka thënë Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për të shtuar se punët po ecin me radhë dhe mbarë.
Ai tregoi tanimë se është miratuar vendimi për shpronësimin në projektin e qarkores së jashtme të qytetit të Gjilanit.
“Falënderime të veçanta për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, që po i qëndrojnë afër dhe po e mbështesin komunën tonë”, theksoi Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, tha se 80% e premtimeve janë realizuar.
“Shumë të tjera, si ky projekt, janë bërë për qytetin tonë pa premtuar”, ka thënë i pari i Gjilanit, Alban hyseni. /2LONLINE/