Komuna e Vitisë shënon Ditën Botërore të Diabetit, në QKMF-në e Vitisë hapët një Zyre këshillimore falas për këtë sëmundje.
Komuna e Vitisë, konkretisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti, ka shënuar sot Ditën Botërore e Diabetit.
Një ekip i QKMF-së, në qendër të qytetit të Vitisë, ka shpërndarë fletushka informative mbi këtë sëmundje si dhe kanë bërë matjen e sheqerit në gjak.
Me këtë rast ekipin i cili po merrej me këtë aktivitet e kanë vizituar drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Basri Aliu dhe drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli – Halili.
Drejtoresha e Kadolli-Halili potencoi se kjo komunë po vazhdon me shënimin e ditëve të ndryshme të shëndetësisë me qëllim që qytetarët vitias të njoftohen rreth sëmundjeve të ndryshme dhe parandalimin e pasojave.
Ajo gjithashtu pati edhe disa këshilla për personat me diabet.
” Këshillojmë pacientet me diabet që të kontrollojnë peshën e tyre, të bëjnë kufizimin e sheqernave të rafinuara si dhe të rrisin konsumin e sasisë së fibrave në dietë dhe të këshillohen me mjekun. Megjithatë në këtë ditë ne kemi hapur edhe një zyre këshillimore në QKMF-në e Vitisë, ku qytetarët që vuajnë nga diabeti do mund të marrin informacione falas mbi trajtimin e duhur ndaj kësaj sëmundje”, u shpreh Drejtoresha Kadolli-Halili.
Përndryshe, sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit rreth 387 milionë njerëz janë të prekur me diabet ku pritet sipas tyre numri i tyre mund të arrijë deri në 600 milionë dhe atë deri në vitin 2035.