Me qëllim të parandalimit të zjarreve dhe shqyrtimin e mundësive për të parandaluar këtë dukuri mjaftë shqetësuese dhe të rrezikshme, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë ka organizuar sot një takim me përfaqësues të fushave të ndryshme, si dhe lokaliteteve për të debatuar rreth kësaj gjendjes aktuale dhe rrezikshmërisë së zjarreve në zonat malore e fushore.
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë Nexhmedin Jakupi, ka prezantuar gjendjen momentale në territorin e komunës së Vitisë, si dhe angazhimet institucionale për të parandaluar zjarret.
Ai ka bërë të ditur se qysh në vitin 2014 është hartuar një plan për mbrojtjen nga zjarri dhe parandalimin e tij, që kishte për qëllim koordinimin e të gjitha mekanizmave për tu kyçur në aktivitetet që kanë të bëjnë me parandalimin e zjarreve, mirëpo që kjo nuk ka treguar edhe aq shumë rezultat.
Zv. kryetari i komunës Hasan Aliu ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim që të përkushtohen në aktivitete kundër zjarreve gjatë sezonit veror, kur edhe janë më të shpeshta rastet e zjarreve.
“Rol të rëndësishëm luajnë edhe këshillat e fshatrave në këtë drejtim, andaj kërkohet një mobilizim në të gjitha lokalitetet në mënyrë që të shënohet rezultate e të mos ketë zjarre.
Gjithashtu, kërkohet një përkushtim edhe i organeve të drejtësisë që të sanksionohen të gjithë ata keqbërës që shkaktojnë zjarre dhe në këtë mënyrë të parandalohen rreziqet por edhe dëmet”, ka thënë Aliu.
Për rastet e zjarreve ka raportuar edhe komandanti i Njësisë së Zjarrefikjes Hetem Jakupi, ku siç bëri të ditur, vetëm këtë vit janë shënuar 18 intervenime.
Për rastet e zjarreve kanë raportuar edhe përgjegjësi i Agjencisë Pyjore në Viti Kadri Ismajli dhe inspektori i preventivës për parandalimin e zjarreve Izer Salihu.
Në këtë takim , ishte i pranishëm edhe zyrtari i zyrës rajonale të lajmërimit, përfaqësues nga policia e Kosovës dhe kryetar të disa fshatrave që shtrihen në zonat malore.
Me këtë rast u përpilua edhe një plan veprues për koordinimin e aktiviteteve ndaj zjarreve gjatë sezonit veror.