Organizuar nga Komuna e Vitisë sot në Viti, është mbajtur një takim i përbashkët me kryetarët e fshatrave, qytetarë, përfaqësues të policisë së Kosovës, zyrtarë komunal dhe nga Njësiti i Zjarrefikjes dhe Shpëtimit. Në këtë takim është folur rreth zjarreve malore të shkaktuara gjatë këtij viti në territorin e Komunës së Vitisë si dhe u prezentuan disa të dhëna nga kjo dukuri.
Hasan Aliu, zv. Kryetar i Komunës së Vitisë, ndër tjerash u shpreh se dukuria e zjarreve është fatkeqësisht e përhapur në gjithë vendin, duke theksuar se për këtë institucionet komunale të Vitisë, po vazhdojnë të punojnë në vetëdijesimin e qytetarëve rreth pasojave që sjellë kjo dukuri për vendin, shëndetin dhe natyrën.
Ndërkaq Nexhmedin Jakupi, Drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjencë ka folur mbi zjarret e shkaktuara në territorin e kësaj komune për periudhën Janar-Prill 2019 si dhe për masat që janë ndërmarrë në parandalimin e tyre. Drejtori Jakupi bëri me dije se për këtë periudhë kanë pasur qindra dalje të përgjithshme. Ai bënë me dije se gjatë këtij viti në territorin e komunës së Vitisë kanë regjistruar 160 zjarre fushore e malore nga to 138 zjarre ishin në sipërfaqe të hapura kurse 61 prej tyre ishin zjarre malore.
Ndërkaq Kadri Ismajli, Përgjegjës i Sektorit i Sektorit Pyjor në Viti, tha se zjarret malore kanë përfshirë kanë edhe territorin e komunës së Vitisë, saktësisht ai përmendi zjarret që janë përhapur në fshatrat: Buzovik, Letnicë, Novoselë si dhe disa fshatra të tjera. Ai bëri me dije se nga këto zjarre janë prekur gjithsej mbi 56 hektar pyje të kësaj komune qoftë private apo publike.
Ndërkaq Afrim Halili, Komandant i Stacionit Policor në Viti, u shpreh se është detyrë e çdo qytetari që të mbrojnë ambientin dhe natyrën. Ai tha se për rastet e zjarrevënieve të qëllimshme janë hapur 9 raste në gjykatë si dhe bëri me dije se ndaj disave janë marrë masa ligjore nga organet kompetente. Në këtë takim kanë folur edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme si Naser Haziri nga Sektori i Emegjencave, Izer Salihu, Inspektor për Zjarre në Viti dhe të tjerë.
Përndryshe në fund të këtij takimi ku kanë marrë pjesë edhe kryetarët e fshatrave kanë dalë edhe disa rekomandime si: rritja e masave për parandalimin e përhapjes së zjarreve, vetëdijesimi i qytetarëve për pasojat që sjellin zjarret malore, pastrimi i pyjeve dhe hapja e korridoreve që të lehtësohet qasja në pyje për të intervenuar në rast të zjarreve.