Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtorin ekzekutiv të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, Petrit Selimi kanë vizituar sot dy objektet, në të cilat është duke u investuar në programin e efiçiencës në energji.
Kryetari Haliti ka falënderuar drejtorin e MCC-së Petrit Selimi dhe, tha se komuna e Vitisë është duke bashkëpunuar ngushtë me MCC-në amerikane, rreth investimeve nëpër objekte banesore dhe shtëpi private për efiçiencë në energji dhe, ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në vitet në vijim.
Ndërsa, Petrit Selimi drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, entitetit të përgjegjshëm implementues të programit të MCC-së në Kosovë, tha se komuna e Vitisë është e para që ka pranuar të jetë pjesë e këtyre investimeve dhe, vlera e investimeve në këtë komunë është mbi 460 mijë euro.
Në objektin e quajtur “Kroni Binçës” dhe “Blloku”, investimet po bëhen në renovimin e kulmeve, fasadave, dritareve, ndriçimit, ndërsa vetëm te objekti i quajtur “Blloku”, do të vendosen edhe panele solare me termopompa, dhe se këto punime pritet të përfundojnë së shpejti. /2LONLINE/