Komuna e Vitisë dhe Helvetas Swiss Intercooperation-Demos kanë filluar sot me punimet në projektit “Ndërtimi i trotuareve, dhe hapësirave të gjelbër dhe ndriçimit publik në qytetin e Vitisë, konkretisht për gjatë shëtitores Viti-Binqë që është për skaj të lumit “Morava e Binqës”. Gjithashtu me këtë projekt parashihet edhe rregullimi i pjesëve të tjera në qytetin e Vitisë.
“Me këtë projekt ndër tjerash parashihet edhe rregullimi i trotuareve në pjesë të ndryshme të qytetit të Vitisë pasi që projekti përmban disa loto. Në mesin e tyre do të rregullohen edhe disa trotuare por do të bëhet edhe trajtimi i dy parqeve ndër to edhe parkun “Kerim Lawton”.
Po ashtu do të punohet edhe në ndriçimin publik, mbjelljen e drunjtëve dekorativ si dhe vendosjen e shportave për mbeturina”, u shpreh Kryetari Haliti gjatë ceremonisë së hapjes së punimeve të këtij projekti.
Ai tha se Komuna e Vitisë synon të krijoj një shëtitore të mirë për të gjithë qytetarët dhe vizitorët duke potencuar se kjo shëtitore në të ardhmen do të jetë më e bukur se ajo e Strugës.
Ai shtoi se shëtitorja në fjalë do të pajisjet edhe me shteg të çiklisteve, po projektohet ura në pjesën e sipërme të saj që do të lidhë disa vendbanime.
Kryetari Haliti ndër tjerash shprehu një falënderim të veçantë për projektet të cilat po realizohen në bashkëpunim me Helvetas Swiss Intercooperation-Demos duke shtuar se komuna e Vitisë çmon projektet e kësaj organizate për shkak të cilësisë së saj.
Kurse, Vjollca Behluli nga Helvetas Swiss Intercooperation-Demos, tha se është kënaqësi të bashkëpunojmë me komunën e Vitisë, për siç tha ajo komuna e Vitisë përpos kryetarit që e ka shumë të mirë edhe stafi është efikas dhe profesional.
“Këto 3-4 vite kanë qenë kënaqësi të bashkëpunojmë me komunën e Vitisë. Projektet të cilat i kemi realizuar dhe ato që po fillojmë janë një dëshmi e punës së pandalshme që bënë komuna e Vitisë me një donator siç është qeveria zvicerane. Dua të ju njoftoj në emër të projektit DEMOS se bashkëpunimi me Vitinë do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, u shpreh Behluli.