Në mbledhjen e Jashtëzakonshme të Kuvendit të Asociacionit të Komunave të Kosovës sot është bërë anëtarësimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).
Votimi për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në AKK ka kaluar me votat e të gjithë delegatëve të Kuvendit dhe ka ardhë pas kërkesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut e cila ka marrë vendim në Kuvendin e Komunës për t’u anëtarësuar në Asociacion.
Kryetari i AKK-së z.Agim Aliu në fjalën e tij tha se “ky është Kuvend i Jashtëzakonshëm i cili ka ardhur pas kërkesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Sic e dini Asociacioni i Komunave të Kosovës është themeluar me 30 Qershor 2001 pas zgjedhjeve të para lokale e demokratike pas luftës së fundit në Kosovë.
Nga 38 Komuna sa ka Kosova, 34 prej tyre janë anëtare në Asociacionin e Komunave të Kosovës, të cilat marrin pjesë në aktivitetet tona, japin ide e sugjerime, marrin pjesë në gjitha strukturat e Asociacionit që nga Kuvendit, Bordi, Këshilli i Kryetarëve dhe Kolegjiumet Profesionale.
Poashtu komunat anëtare marrin shërbime, projekte e zhvillim të kapaciteteve nga Asociacioni i Komunave dhe Qendra e Trajnimit brenda Asociacionit.
Anëtarësimin e një komune në Asociacion e bën Kuvendin i AKK-së me shumicën e votave, dhe pas kërkesës së një komune, e cila bën Kërkesë pas vendimit të Kuvendin e Komunës përkatëse ku shpreh interesim, dëshirë dhe nevojë për anëtarësim në Asocacionin e Komunave të Kosovës.
E tillë është edhe Kërkesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe kërkoj nga ju që sot të shqyrtojmë këtë Kërkesë dhe të vendosim me anë të votimit për anëtarsim të Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës”.
Pas anëtarësimit, Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut z.Erden Atiq në fjalën e tij tha së është i lumtur për këtë anëtarësim, për çka falenderoi delegatët e Kuvendit të Asociacionit dhe tha se do të japin kontributin e tyre në sfidat dhe adresimet e qeverisjes lokale në nivel vendi. /2LONLINE/