Donacionet në Komunën e Kamenicës janë duke vazhduar, thonë zyrtarë komunal të Kamenicës.
Organizatat ‘UNDP’ dhe ‘IOM’, kësaj radhe kanë dhuruar donacion për 176 familje me asistencë sociale kuponë të cilët do t’i përdorin për të marr gjëra ushqimore.
Drejtoresha e drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi duke falënderuar donatorët ka thënë se komuna është duke kërkuar mbështetje për familjet në nevojë.
“Donacionet e tilla janë të mirëseardhura e sidomos kur bëhet fjalë për familjet në nevojë. Ne jemi në vazhdimësi në kërkim të donacioneve të tilla të cilat sado pak i ndihmojnë këto familje”, është shprehur ajo.
Udhëheqësi i Qendrës për punë Sociale Rifat Hajdari, së bashku me zyrtarë nga kjo qendër nga sot kanë filluar shpërndarjen e këtyre kuponëve, ku vlera e tyre është 60 dhe 70 euro.
Familjet me asistencë sociale varësisht nga numri i anëtarëve do të mund t’i shfrytëzojnë këta kuponë në marketin ‘Viva Fresh’.
Kriteret për përzgjedhjen e familjeve janë: nënat vetushqyese, gjendja e vështirë ekonomike e familjes, familjet të cilat janë në gjendje të rëndë sociale dhe kanë shumë fëmijë në shkollë, familjet anëtarët e të cilave kanë problem shëndetësore, si dhe familjet në viset e thella rurale.
Po ashtu këta kuponë do të shpërndahen edhe për komunitetin romë dhe serbë pas disa ditëve. /2LONLINE.com/