Në kuadër të projekti “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës” që financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendra për Studime të Avancuara (FIT), si dhe mbështetet nga komuna e Kamenicës, në ambientet e shkollës ‘’Abdullah Krashnica – Presheva’’ në Koretin, nxënësit e disa shkollave të komunës së Kamenicës realizuan një debat mbi të drejtat e fëmijëve, si dhe mënyrën e parandalimit dhe referimit të rasteve të abuzimit.
Nxënësit pjesëmarrës, patën rastin që të bashkëbisedojnë me menaxheren e projektit, bashkëpunëtorët e terrenit nga Qendra për Arsim e Kosovës, si dhe me psikologët e shkollave, rreth preokupimeve të tyre për temën e abuzimit dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të shoqërisë kundër kësaj dukurie.
Në kuadër të aktiviteteve të 1 qershorit, është realizuar edhe punimi i një murali në hapësirat e jashtme të Shtëpisë së Kulturës në Kamenicë, me mesazhin ‘’Kujdes prindër! Jeni model i secilit fëmijë’’. Si dhe është lansuar platforma e trajnimeve online për prindër, nxënës dhe mësimdhënës ‘’Së bashku kundër Abuzimit’’ të cilën të gjithë të interesuarit mund ta gjejnë në linkun: www.kec-elearning.org .
Një kontribut të veçantë në realizimin e këtyre aktiviteteve kanë dhënë edhe zyrtarët e Drejtorisë Komunale për Arsim, si dhe të Qendrës për Punë Sociale në Kamenicë, që janë pjesë e ekipit komunal për parandalim dhe referim të rasteve të abuzimit, si dhe drejtori Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Kamenicë. /2LONLINE..com/