Komuna e Kamenicës së bashku me “Qendrën për Arsim të Kosovës-KEC”, sot kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për projektin “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Europian.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me u.d drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi, dhe zyrtarë të tjerë të sektorit të arsimit dhe të Qendrës për Punë Sociale, kanë pritur në takim Ardita Kabashi menaxhere e këtij projekti dhe ekspertin për hartimin e planeve të veprimit për këtë projekt.
Kryetari Kastrati duke falënderuar organizatën “Qendra për Arsim të Kosovës – KEC”, për bashkëpunim në këtë projekt të rëndësishëm për nxënësit e Kamenicës, ka thënë se si institucion do ta adresojnë këtë fenomen që ka pasoja në të gjitha anët.
“I lumtur që Kamenica është pjesë e projektit ”Së bashku kundër Abuzimit të Fëmijës”, nga organizata KEC. Fatkeqësisht, dhuna ndaj fëmijëve si fenomen, është akoma mes tabusë e heshtjes dhe si shoqëri e institucion, duhet t’a adresojmë këtë problem që ka pasoja në të gjitha anët. Si komunë, e kemi dëshmuar që angazhimi ynë për një jetë më të mirë është për të gjithë, pa dallim. Fokusi e prioriteti ynë është fëmijëria e hershme sepse nuk mund ta paramendojmë një shoqëri të shëndoshë nëse dhuna psikologjike, fizike, apo sociale është duke rënduar mbi supet e më të dashurve tanë”, ka thënë ai.
U.d drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Mirhane Morina Bislimi, gjatë këtij takimi tha se si komunë do të angazhohemi për realizimin e këtij projekti.
“Iu falenderoj që na keni zgjedhur si njërën ndër komunat tjera për këtë temë e cila është e rëndësishme për të gjithë shoqërinë e edhe për ne. Është projekt i duhur dhe do të punojmë që të realizohet i tëri”, ka thënë ajo.
Kurse Ardita Kabashi, menaxhere e projektit theksoi se është e rëndësishme që të trajtohet secili rast.
“Kemi numër jo të madh të rasteve abuzive në shkolla. Por çdo rast që e kemi duhet ta trajtojmë që të mos përsëritet. Iu falenderoj të gjithëve për kontributin e dhënë për këtë plan”, tha ajo.
Projekti “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës” është i financuar nga Bashkimi Evropian.
Objektivat kryesore të këtij projekti janë:
1. Të gjithë fëmijët të trajtohen me respekt të plotë dhe dinjitet për të drejtat e tyre duke promovuar mjedis pa abuzime në shkollat e Kosovës,
2. Edukimin dhe trajnimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve për të parandaluar abuzimin e fëmijëve në shkolla dhe t’i përgjigjen abuzimit në një mënyrë të përshtatshme,
3. Ngritjen e vetëdijes ku përmes aktiviteteve të shumta rrisim ndjeshmërinë e njerëzve ndaj problemit.