(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka shtruar iftar për Bashkësinë Islame, Policinë e Kosovës, Prokurorinë, FSK-në, partitë politike, shoqata të ndryshme si dhe për gurbetçarët.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët komunal, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Sylejman Osmani, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame profesor Qazim Qazimi, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet.
Në fjalën e tij, kryetari Haziri ka thënë se kjo është darka e parë që Komuna e shtron me buxhet të saj pas shtatë muaj qeverisje.
“Uroj dhe lutem që Zoti të na e pranoj agjërimin e secilit për jush që jeni këtu. E di që ka pasur nevojë të thërrasim edhe shumë njerëz për të qenë këtu, por dua të them një çështje se kjo është darka e parë që Komuna e shtron me buxhet komunal, pas shtatë muaj qeverisje në kuadër të një shtrëngesë buxhetore të detyrueshme për shkak të borxheve dhe obligimeve që i kemi trashëguar”, tha Haziri.
Duke folur për simbolikën e muajit të shenjtë të Ramazanit, Haziri tha se përmes urisë, sakrifikojmë për t’u barazuar me ata që janë të uritur.
“Me ndihmën e të gjithë juve dhe të gjithë qytetarëve të Gjilanit do ta përballojmë këtë gjendje bashkërisht dhe besojmë shumë që darka jonë e përbashkët është simbolika që të bashkohemi të gjithë: edhe ata që përfaqësojnë drejtësi dhe organe, edhe ata që i përfaqësojnë qytetarët në Gjilan dhe në nivel të Republikës, edhe pensionistët, edhe shoqatat e dala nga lufta, edhe imamët si udhëheqës të besimit kudo që janë në lokalitete të ndryshme në Komunën e Gjilanit, qytet e fshatra, për të treguar atë që mesazhi i muajit të shenjte të Ramazanit e jep. Përmes urisë, sakrifikojmë për t’u barazuar me ata që janë të uritur, përmes agjërimit solidarizohemi dhe mundohemi të bëhemi të njejtë dhe natyrisht respektojmë muajin e madh të zbritjes së Kur’anit dhe muajin e madh të ndryshimit të botës që ka ndodhur dhe natyrisht edhe ne e përjetojmë në këtë ditë të sontme”, ka thënë Haziri.
Fjalë rasti pati edhe kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan Sylejman Osmani si dhe dekani i Fakultetit të Studimeve Islame prof. Qzim Qazimi, të cilët falënderuan kryetarin Haziri për organizimin e këtij iftari, duke e përgëzuar që i ka mbledhur të gjithë në një vend.
Ata kërkuan nga të gjithë që të jenë unik dhe të punojnë për ardhmërinë e vendit. /2L ONLINE/