Komuna e Gjilanit me disa aktivitete ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sindromit Down, në ngjarjet ku ka marrë pjesë kryetari i Komunës, Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, sikurse edhe drejtorët komunalë, Selvete Sylejmani, Aurorë Osmani Buca e Kushtrim Zeqiri.
“Dita e sotme shërben për vetdijësim në lidhje me njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me sindromë Down. Por për shoqërinë tonë, puna nuk mbaron aty. Për të dëgjuar zërin e këtij komuniteti neve na duhet që të krijojmë mekanizma të duhur si institucione, organizata, familje, e si shoqëri, në mënyrë që të arrijmë gjithëpërfshirjen e komuniteteve të ndryshme që janë pjesë e shoqërisë sonë”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.
“Në ditë si kjo, ne mendojmë se si mund të bëhemi shoqëri më gjithëpërfshirëse e si mund të ofrojmë qasje më të mirë e më të lehtë në shërbime shëndetësore, arsimore, kulturore e shoqërore për komunitetet. Puna nuk mbaron tek miratimi i ligjeve, në fakt, për secilin prej nesh ajo fillon qysh atëherë”, ka shtuar kryetari Hyseni.
Ndërkaq, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, ka shprehur përkrahjen e vazhdueshme të Komunës për personat me sindromin down, jo vetëm në ditë të caktuara.
“Do të kujdesemi që familjeve të tyre t’ua lehtësojmë vështirësitë nëpër të cilat janë duke kaluar. Gjithëpërfshirje, përkrahje dhe integrim i vazhdueshëm në shoqëri”, ka thënë nënkryetarja Morina – Bunjaku. /2LONLINE/