/2L ONLINE/ – Pas shkrimeve të sotme në mediat kosovare, duke iu referuar raportit të Auditorit Gjeneral, se kinse ‘Komuna e Gjilanit ka agazhuar 126 punëtorë me kontratë mbi vepër për vitin 2015”, Komuna e Gjilanit, për hir të informimit të drejt të opinionit njofton se kjo shifër nuk qëndron, ngase të angazhuar me kontratë mbi vepër ka pasur vetëm 67 persona.
Njësia e Personelit të Komunës së Gjilanit njofton se i ka dërguar shkresë zyrtare më 25 maj 2016 në bazë të kërkesës së z. Enver Ramadani, i cili ka qenë anëtar i Komisionit të Auditorit të Përgjithshëm, duke e informuar se Komuna ka pasur të angazhuar 67 persona me kontratë mbi vepër edhe atë: 25 në shërbim civil, 37 në sektorin e arsimit dhe 5 në sektorin e Shëndetësisë.
Edhe përkundër faktit se në raportin përfundimtar qëndron shifra 126, besojmë dhe shpresojmë se kemi të bëjmë me një gabim teknik të Auditorit Gjeneral. Komuna e Gjilanit është e gatshme që ta dëshmoj të kundërtën në çdo kohë, thuhet në sqarimin e komunës. /2L ONLINE/