(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit në Ditën e Çlirimit, ka ndarë mirënjohje për personalitete të ndryshme për ti falënderuar ata për punën e mirë që e kanë bërë në forma të ndryshme dhe nga fusha të ndryshme, si nga arti, kultura, shkenca, sporti, rinia, shëndetësia dhe fusha të tjera, por edhe qytetarë të ndryshëm që kanë dhënë kontribut të çmueshëm në shoqëri.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se brenda vitit kalendarik kemi vendosur t’u ndajmë mirënjohje të gjithë atyre që kanë shënuar rezultate, që i japin identitet Gjilanit ne fusha të ndryshme të shoqërisë, si në arsim, shëndetësi, kulturë, art, sport dhe fusha të tjera. Ai më tej ka thënë se Dita e Çlirimit është dita më e rëndësishme dhe kujtimi më i mirë, por duke përkujtuar përherë të gjithë ata që kanë rënë në luftën për lirinë që ne sot e gëzojmë. Haziri ka thënë se Gjilani ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe në çështjen kombëtare, në luftën për liri, por edhe kontribut shumë të madh po jep në paqe në forma të ndryshme, për të mirën e vendit dhe shoqërisë. Hairi ka thënë se sot kemi një qytetarë që ka dhënë 105 herë gjak, për të shpëtuar jetë, kemi rastin tjetër që një nxënës ka zënë vendin e parë në garat republikane në lëndën e kimisë, kemi studentë që marrin pjesë në gara të ndryshme në Amerikë, Europë, kemi artistë të shumtë, sportist, profesor, dhe të gjithë këta janë kontribut-dhënës për të mirën e Gjilanit fillimisht dhe të vendit në përgjithësi.
Ndërsa, ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se ditët e robërisë ishin qindravjeçare, por brezat e lirisë kanë sjellë çlirimin e vendit më 15 qershor të vitit 1999, kur Gjilani fillon të frymoj lirë. Nga ajo ditë ne kemi nisur të marrim frymë lirisht. Ai tha se nga ajo ditë ne kemi filluar të punojmë në kuptimin e plotë të jetës, duke menduar e punuar për t’u zhvilluar dhe jetuar normalisht. Isufi ka ndarë së bashku me të pranishmit edhe momentet kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka hyrë në qytetin e Gjilanit dhe për mikpritjen që kanë marrë nga qytetarët. Ai në fund ta kë thënë se duhet të punojmë secili prej nesh sot, që Kosova të jetë krenare me veprimet tona, sepse vetëm atëherë kemi dhënë diçka për vendin. /2L ONLINE/