Rregullorja për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm në pronat e personave fizik dhe juridik e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, e miratuar me 24 korrik 2020, është pothuajse identike me atë të miratuar nga Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës, me 29 dhjetor 2014.
Shkruan: Bashkim ISUFI – 2LONLINE.com
Si bazë ligjore për nxjerrjen e kësaj rregullore merret neni 14, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe nenit 19 paragrafi 2 i Ligjit Nr. 04/L -110 për Ndërtim, me të cilët përcaktohet lloji i aktivitetit për të cilin lëshohet leja ndërtimore dhe kompetenca për lëshimin e lejeve ndërtimore.
Ligjërisht, aktet nënligjore ose rregulloret nxirren në bazë dhe në zbatim të një ligji. Ato janë një lloj zgjatimi i ligjit dhe nuk mundet kurrsesi të bien ndesh apo të tejkalojnë detyrimet e ligjit mbi të cilin bazohen.
Në nenin 1 të kësaj rregullore, thuhet se: “Me këtë rregullore përcaktohen procedurat për dhënien e kushteve ndërtimore dhe lejeve ndërtimore personave fizik dhe juridik, për ndërtimin e objekteve me karakter të përkohshëm në pronësi të tyre, deri në realizimin e planeve rregulluese”. Ky përcaktim bie ndesh me dispozitat e nenin 17, 18 dhe 21 të Ligjit Nr. 04/L -110 për Ndërtimin, si dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 06/2017 për Përcaktimin e Procedurave për Dorëzimin dhe Shqyrtimin e Kërkesave për Kushte Ndërtimore, Leje Ndërtimore dhe Leje Rrënimi për Kategorinë e I-rë dhe të II-të të Ndërtimeve.
Për nxjerrjen e kësaj rregullore dhe akteve të tjera të kundërligjshme, përgjegjësinë e bartë Zyra Ligjore e Komunës së Gjilanit, e cila sipas Rregullores Nr. 01. Nr. 016-114541 datë 30.11.2015 për Organizimin, Kompetenca dhe Përgjegjësitë e Organeve të Administratës Komunale, ka qenë e obliguar që të bëj shqyrtimin e kësaj rregullore, se është apo jo në pajtueshmëri me ligjet ekzistuese në fuqi dhe Statutin e Komunës, para se të miratohen nga Kuvendi Komunal.
Të gjitha propozim aktet të cilat shkojnë për aprovim- miratim në Kuvend Komunal, duhet të kalojnë përmes Zyrës Ligjore Komunale, e cila pas shqyrtimit të ligjshmërisë të këtyre akteve, rekomandon miratimin e tyre nga Kuvendi Komunal nëse janë në pajtueshmëri me ligjin, e nëse jo është obliguar që të njëjtat ti harmonizoj me ligjin ose të japë opinionin e saj ligjor. Ashtu që Kuvendi Komunal aktin e propozuar nga cilado drejtori komunale në seancë ta plotësoj dhe ndryshoj.
Dhe për fund jam i mendimit që rregulloret komunale duhet të hartohen konform nevojave komunale dhe në pajtueshmëri me ligjin, e jo të merren copy-paste nga komunat e tjera.