Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se për herë të parë Komuna e Gjilanit ka ndarë grante për 46 biznese.
Ai bëri të ditur se shuma e ndarë është 135 mijë euro dhe kontratat janë nënshkruar me bizneset e reja start-up dhe gratë ndërmarrëse.
“Nënshkruan kontratat 46 përfitues. Prej tyre 34 biznese të reja Start-Up dhe 12 gra ndërmarrëse të cilat do zgjerojnë bizneset e tyre. Më shumë se 60 vende të reja pune dhe mbi 120 pajisje të punës do të financohen për përfituesit. I lumtur që po fuqizojmë rininë e gratë në biznes. Shumë suksese të gjithë përfituesve!”, është shprehur kryetari Hyseni.
Edhe drejtori për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, Iu ka uruar mirëseardhje të pranishmëve, ndërsa përfituesve ju ka uruar implementim të sukseshëm të projekteve të tyre.
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në planin buxhetor për tri vitet ardhshme ka planifikuar një rritje prej 40% të vlerës së subvencioneve për çdo vit.
“Synimi kryesor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik është zhvillimi i ekonomisë lokale përmes mbështetjes për bizneset e reja dhe ato ekzistuese duke ju ofruar mbështetje në ngritjen e kapaciteteve dhe avancime të reja teknologjike në pajisje dhe makineri të nevojshme në procesin e punës”, ka thënë drejtori Shabani. /2LONLINE/