Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, apelon tek të gjithë tatimpaguesit e Gjilanit, që të shfrytëzojnë amnestinë për faljen e borxheve, e cila është aktive deri në fund të muajit gusht 2017.
“Falja e borxheve është përcjellë për këtë periudhë gati dy vjeçare, me përgjigje mjaftë të madhe përmes pagesave të faturave nga ana e qytetarëve të Gjilanit. Mirëpo është ende një kategori e tatimpaguesve që mund të përfitojnë nga amnestia e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për faljen e borgjeve për një periudhë të caktuar kohore, prandaj lusim të gjithë ata borgjlinjë të faturave të Tatimit në Pronë, që të paraqiten para sporteleve të drejtorisë së Financave, në mënyrë që të jenë përfitues”.
Kështu është shprehur shefi i Tatimit në Pronë në Komunën e Gjilanit, Nazmi Halili, i cili ka potencuar se ata të cilët nuk janë përgjigjur deri më tani, i informojmë se nga data 1 shtator do tu kthehet vlera e borgjit të vjetër, ndëshkimi dhe kamata.
“Kërkojmë nga të gjithë ata që kanë obligime nga faturat e Tatimit në Pronë, të paraqiten në drejtori dhe të jenë përfitues të kësaj amnestie. Nga data 1 shtator 2017 sipas ligjit, do të aktivizohen borxhet së bashku me vlerën e ndëshkimeve dhe të kamatës”, ka bërë të ditur ai, duke potencuar se të gjitha të hyrat e Komunës së Gjilanit nga kategoria e Tatimit në Pronë shfrytëzohen vetëm për investime kapitale të projekteve të ndryshme publike.