Punëtorët e Kompanisë Ecohigjiena kanë filluar të bëjnë grumbullimin e mbeturinave nga hapësirat publike, pasi mësohet se është arritur një marrëveshje për këtë mes Komunës së Gjilanit dhe Ecohigjienës.
Përndryshe, deri ditë më parë, pjesët e ndryshme të qytetit ishin shndërruar pothuajse në deponi pasi mbeturina kishte kudo.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin 2LONLINE, nënkryetari i komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se qyteti po pastrohet dhe po i kthehet normalitetit.
“Për shkak të gjendjes emergjente, që ka pas Gjilani këto ditë kur është në pyetje grumbullimi i mbeturinave në hapësirat publike dhe mirëmbajta e hapësirave të gjelbëruara, dhe duke parë që mbi 1 vit lënda e përfituesit të operatorit për këtë çështje, po zvarritet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), që shpallte fitues herë njërën palë e herë tjetrën, komuna ka kërkua nga KRPP-ja për vazhdimin e kontratës me Ecohigjiena edhe për gjashtë maj, derisa të zgjidhet problemi nga OSHP-ja, për përzgjedhjen definitive të operatorit ekonomik” ka thënë për 2LONLINE, nënkryetari Kadriu.
Sipas tij, qyteti tani po pastrohet dhe po i kthehet normalitetit.
“Kërkojmë falje nga qytetarët e Komunës së Gjilanit sepse e gjithë kjo nuk ka ndodhur për fajin e komunës, por për procedurat burokratike dhe vonesave të pakuptimta të OSHP-së, vendimeve të saja të çuditshme kur ua jepte të drjetën, herë njërës, e herë palës tjetër. Besoj shpejtë OSHP, ka me e krye këtë punë dhe Komuna do ta nënshkruaj kontratën me operatorin fitues”, ka thënë Kadriu.