(2L ONLINE) – Komiteti për Komunitete ka miratuar të enjten raportin e punës tre mujore të Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK). Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka thënë se kjo trupë komunale do të shqyrtojë çdo kërkesë që vjen nga Zyra e linjës, ose ndonjë lokalitetet dhe do ta përcjellë atë në adresën e duhur për zgjidhje.
Shahin ka thënë se kjo vlen edhe për çështjet e ngritura nga përfaqësuesi i fshatit Dobërçan, Ibish Ibishi, sipas të cilit, në raportin e ZKK nuk figuron asnjë aktivitet i zhvilluar në këtë lokalitet të banuar me shqiptarë e turq.
“Komitetit i duhet një kërkesë nga komuniteti dhe ne do t`i lëvizim gjërat në drejtimin pozitiv”, ka premtuar Shahin.
Detaje nga raporti ka prezantuar Ruzhdi Rashiti nga Zyra për Komunitete dhe Kthim, i cili ka thënë se aktiviteti i ZKK-së përqendrohet në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, sigurimin e qasjes së barabartë në shërbime publike, lehtësimin e kthimit dhe ri-integrimit të qëndrueshëm të refugjatëve, personave të zhvendosur dhe të riatdhesuarve.
ZKK monitoron gjendjen e të gjitha komuniteteve dhe të personave të kthyer dhe raporton për nevojat dhe shqetësimet e tyre te organet përkatëse komunale, ka thënë Rashiti.
Për më tepër, ai ka thënë se 7 familje serbe, të cilat deri vonë kanë banuar në objektin e frigoriferit në fshatin Shillovë, janë sistemuar nëpër shtëpi private dhe atyre do t`u paguhet qiraja për 6 muaj, nga Komuna dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim. Një familje nga ky regjistër është në proces të ndërtimit të shtëpisë nga MKK.
Sa i përket kthimit të qëndrueshëm, në këtë periudhë tre mujore, ZKK bashkërisht me UNHCR-në dhe disa organizata tjera ndërkombëtare, kanë punuar në përgatitjen e regjistrit të kthimit të komunitetit rom nga Maqedonia. Është vizituar dhe asistuar një familje rome, e kthyer nga Serbia, e cila për momentin është duke rinovuar shtëpinë. Më vonë, prapë do të asistohet dhe furnizohet me pako ushqimore dhe higjienike, me plan biznesi dhe orendi, ka thënë Rashiti.
Ndërkaq, në procesin e riatdhesimit, të kthyerit nga vendet e treta janë ndihmuar me ushqime, dru zjarri, plan-biznesi, orendi, barna, trajtim mjekësor e të tjera. Gjatë kësaj periudhe, në ZKK kanë bërë kërkesa gjithsej 8 familje, kurse numri i ankesave, për këtë periudhë, është 9 sosh. Duke u bazuar në rregulloren 20/2013, që nga muaji shtator 2013, të gjithë personat dhe familjet e riatdhesuara, kanë te drejtë ankese në Komisionin qendror për ri-integrim, mundësi kjo që nuk ka ekzistuar më herët.
Ndryshe, Rashiti ka thënë se në këtë periudhë janë riatdhesuar 32 familje, prej tyre 21 janë shqiptare, 8 serbe dhe 3 rome. Kërkesa për asistencë kanë bërë 17 familje të riatdhesuara, 3 prej tyre nga komuniteti serb, të cilët kërkojnë material ndërtimor për shtëpi. Sipas deklarime të personave të riatdhesuar, pjesa ma e madhe e tyre janë kthyer dhunshëm.
Sipas të dhënave që ZKK ka marrë nga Komisioni Qendror për Ri-integrim i MPB-së, për këtë periudhë janë shqyrtuar 15 kërkesa të të riatdhesuarve dhe vetëm njëra prej tyre është miratuar, ndërkaq prej 5 ankesave, një është aprovuar.
Duke i dhënë përgjigje interesimit të Bardhyl Kadiut (LDK), rreth ndihmave për këtë kategori si dhe numrin e madh të rasteve të refuzuara, Rashiti ka thënë se shumica e kërkesave janë refuzuar për shkak se nuk i kanë përmbushur kriteret. Sipas Rregullores 20/ 2013, të gjitha këto raste e kanë lëshuar Kosovën pas datës 28 korrik 2010, ka thënë Rashiti.
Ndërkaq, Elez Kurteshi, zyrtar në ZKK, duke folur për bashkëpunimin me UNHCR-në dhe organizatat tjera ndërkombëtare, që merren me procesin e kthimit dhe riatdhesimit, ka thënë se ky bashkëpunim ekziston dhe se ZKK nuk kund të punojë pa partnerët e saj, përfshirë edhe UNHCR-në. /2L ONLINE/