Komiteti për komunitete ka miratuar sot raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim, të cilin e ka prezantuar Milivoje Zhivkoviq, duke u ndaluar veçmas te shifrat që kanë të bëjnë me kthimin e qëndrueshëm, riatdhesimin si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me komunitetet.
Në këtë periudhë njëvjeçare, sipas të dhënave të Zyrës për Komunitete dhe Kthim, janë regjistruar 126 raste ose kërkesa të ndryshme, prej tyre 3 kërkesa për riatdhesim, 9 kërkesa për kthim të qëndrueshëm, si dhe 69 kërkesa të tjera, për çështje të ndryshme të komuniteteve.
Komuna e Gjilanit, në fillim të vitit 2019 ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me DRC (Këshillin Danez të Refugjatëve) për ndihmë dhe mbështetje familjeve të kthyera në rindërtimin të shtëpive, projekte për biznes familjar si dhe grante rurale.
Ky projekt do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2020 për familje të kthyera në Gjilan, ka thënë Zhivkoviq, ndërkohë që ka folur veç e veç për bashkëpunimin në programet e Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, UNHCR-in, GIZ-in, IOM-in dhe të tjerë.
Sa i përket procesit të ri-integrimit të personave të riatdhesuar, gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme janë kthyer 19 familje ose individë.
Ministria për komunitete dhe kthim në bazë të kërkesave dhe kritereve, nga buxheti i vet ka financuar ndërtimin e 4 shtëpive për anëtarët e komunitetit serb, ka thënë Zhivkoviq, i cili ndërkohë është përgjigjur edhe në interesimet konkrete të Shefik Surdullit, Fadil Demiroviq dhe Milivoje Stojanoviq.
Shefik Surdulli propozoi që vitin e ardhshëm, ky komitet të fillojë me vizita në terren, për t`i parë nga afër kushtet në të cilat jetojnë familjet e kthyera dhe të riatdhesuara si dhe nevojat eventuale që mund të kenë ato për ndihmë.
Kemal Shahin, kryesues i kësaj trupe komunale, duke e përgëzuar Zyrën për punën e bërë gjatë këtij viti, njëkohësisht i ka inkurajuar komunitetet që t`i paraqesin kërkesat e tyre, në mënyrë që ZKK dhe ky Komitet të kenë mundësi të reagojnë në kohën e duhur.
Përndryshe, Komiteti për komunitete u njoftuar nga policia e Kosovës se gjendja e sigurisë në Gjilan është e qetë dhe stabile. Rreshterja Sadete Sadiku tha se gjatë këtij viti nuk ka pasur ndonjë incident me karakter ndëretnik.