(2L ONLINE) – Është mbajtur mbledhja e Komitetit të Arsimit, e kryesuar nga Arben Mehmeti, janë diskutuar tema me rëndësi për arsimin, në përgjithësi. Në këtë mbledhje është dhënë një informatë nga drejtori i Arsimit Nazmi Musa, lidhur me suksesin e nxënësve në gjysmë vjetorin e parë dhe hapat që do të merr drejtoria për zbatimin e ligjit nga punëtorët arsimor në shkollat serbe.
Kryesues i komitetit në bashkëpunim edhe me anëtarët tjerë kanë kërkuar ndalimin e kërkesës për financim të aktiviteteve nga nxënësit.
“Ne si komitet i rekomandojmë drejtorisë së arsimit që të kërkoj sa më parë ndalimin e financimit të aktiviteteve të ndryshme brenda shkollës me participim financiar nga nxënësit, sepse kjo është rënduese për familjen në përgjithësi. Edhe nëse është vullneti i komunitetit – familjes që të investoj mjete financiare në rregullimin e hapësirave shkollore, ajo të bëhet në nivelin mësimdhënës – prind e jo mësimdhënës – nxënës. Poashtu kërkojmë nga mësimdhënësit përmes DKA-së që të shqyrtojnë seriozisht edhe çështjen e stërngarkimit të nxënësve me libra, pra që mësimdhënësit të planifikojnë ashtu metodat që nxënësit të lirohen nga ngarkesa e tepërt me libra”, tha ndër të tjerash kryesuesi Mehmeti.
Ndërsa drejtori i arsimit Nazmi Musa e ka informuar komitetit lidhur me suksesin e nxënësve në gjysmë vjetorin e parë, që është shumë i mirë me një notë mesatare 3.64, e cila është mesatarja nga klasa e parë deri në klasën 12 në nivel komunal duke u përfshirë 20 838 nxënës të të gjitha etnive. Pastaj, numrin e mungesave dhe ka informuar se deri më tani pas migrimit të shumë familjeve gjilanase, numri i nxënësve në shkollat e Gjilanit ka arritur në 400 nxënës që kanë lënë procesin edukativo – arsimor. Musa ka informuar edhe angazhimin e drejtorisë që të kërkoj nga punëtorët arsimor nga radhët e komunitetit serb zbatimin e ligjit të Republikës së Kosovës, njëjtë sikurse kolegët e tyre shqiptarë dhe turq.
Ndryshe, për mbledhjen e radhës të komitetit janë bartur dy pika të rendit të ditës: Diskutimi dhe rekomandimi për emërtimin e institucioneve arsimore dhe diskutimi dhe rekomandimi për organizimin e parambrëmjeve të maturës. /2L ONLINE/