(2L ONLINE) – Komiteti i Arsimit ka shqyrtuar disa problematika që lidhen me këtë fushë dhe i ka dhënë mbështetje Drejtorisë në veprimet që ka ndërmarrë ditëve të fundit për zbatimin e rregullores komunale, e cila ka të bëjë me ndalimin e kurseve me nxënës, derisa në rastin e mësimdhënëses Shqipe Aliu, i ka rekomanduar që ta trajtojë si tepricë teknologjike, nëse krijohen mundësi për ta sistemuar diku në arsim.
Sa u përket pyetjeve dhe kërkesave të anëtarëve të Komitetit, kryesuesi i kësaj trupe komunale, Arben Mehmeti, tha se drejtori i Arsimit është përgjigjur me shkrim. Mehmeti tha se KA do të insistojë edhe më tutje që të marrë listën e të punësuarve me kontratë në arsim, sikurse edhe informatën për kriteret e regjistrimit të fëmijëve në çerdhe.
“Ne do t`i trajtojmë të gjitha problematikat e arsimit, të cilat i vlerësojnë si interes të qytetarëve, pavarësisht nëse i pëlqejnë pushtetit ose jo”, ka thënë Mehmeti.
Duke dhënë përgjigje shtesë në pyetjet e Fehmi Sylejmanit, Leonora Bunjakut, Ajtene Shahiqit, Rashit Sahitit, Florina Zymberit e Shukrije Rapucës, drejtori i Arsimit, Nazmi Musaka thënë lista e atyre që punojnë në institucionet arsimore, është publike dhe mund të merret edhe nga regjistri i pagave, në secilin institucion arsimor.Edhe vendet e lira të punës janë shpallur dhe janë plotësuar sipas normativit.
Disa drejtorë që nuk janë rizgjedhur, janë kthyer në vendet ku kanë punuar më parë, disa vende janë plotësuar me tepricën teknologjike. Vendet e lira, për shkak pushimeve të mësimdhënëseve që shkojnë në pushim të lindjes, janë plotësuar me kandidatë të cilët, për shkak konkurrencës, nuk kanë mundur të pranohen në shtator dhe kanë qenë në listën e konkursit.
Pa konkurs nuk është pranuar asnjë mësimdhënës dhe asnjë nuk është jashtë listës se pagave, ka thënë Musa. Edhe përzgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve është bërë në bazë të ligjit dhe udhëzimit administrativ. Komisioni i ankesave nuk ka gjetur shkelje të proceduarve.
Te rasti i shkollës së Bujqësisë, e cila rrezikon të mbyllet në të ardhmen shkaku i mungesës së nxënësve, Musa tha se ky problem është diskutuar e sqaruar shumë deri tani, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë që t`ua imponojnë nxënësve drejtimin.
Sa u përket kurseve private, ai ka thënë se është i vendosur ta zbatojë rregulloren komunale. Eshtë detyrim i mësimdhënësve që të deklarohen nëse duan të punojnë në shkollë, apo në kurse private dhe ata që nuk heqin dorë nga kurset, dotë largohen nga puna.
Anëtarët e Komitetit thanë se rregullorja duhet të zbatohet në të gjitha rastet, përfshirë edhe kurset e muzikës, pastaj të sporteve të ndryshme, të cilat madje mbahen edhe nëpër objekte shkollore, sepse nuk janë kurse vetëm ato të matematikës, anglishtes dhe ndonjë lënde tjetër.
Ndërkaq në lidhje me rastin e mësimdhënëses Shqipe Aliu, drejtori i Arsimit, NazmiMusa ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për tepricë teknologjike dhe në këtë kuptim as rekomandimi i Inspektoratit të Arsimit. Vendimi i punës për Shqipe Aliun është krijuar duke marrë orë nga norma e disa profesorëve tjerë. Është vlerësuar pranim i paligjshëm. Musa tha se e drejta e saj për të aplikuar për punë në arsim është e barabartë me ata që nuk kanë punuar asnjëherë. /2L ONLINE/