(2L ONLINE) – Komisioni për grumbullimin e fakteve të dëmeve të luftës së vitit 1999 në Gjilan, i ka dorëzuar sot dosjen e parë kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Dosja voluminoze përbëhet prej 3 pjesëve, ku në pjesën e parë janë evidentuar faktet për të vrarët, pjesa e dytë ka të bëjë me evidentimin e dëmeve të luftës, ndërsa në pjesën e tretë janë faktet me fotografi të shtëpive të djegura dhe xhamive në Komunën e Gjilanit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka falënderuar Komisionin për punën e madhe që ka bërë për grumbullimin e dëshmive dhe fakteve të luftës së vitit 1999, duke e vlerësuar si punë tejet të vlefshme.
Kryetari Lutfi Haziri vlerësoi se këto dosje do të freskojnë memorien e njerëzve për atë se çka ka ndodhur në luftën e vitit 1999.
Kryetari i këtij Komisioni Sami Hoxha tha se dosja e parë i është dorëzuar kryetarit Haziri, derisa dosjet tjera do t’i dorëzohen arkivit, prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve ndërkombëtare. /2L ONLINE/