Nën udhëheqjen e ministrit të Financave Bedri Hamza, është mbajtur sot takimi i radhës së Komisionit të Granteve, ku u diskutua për rolin dhe përgjegjësitë e anëtarëve të rinj të Komisionit të Granteve dhe gjithashtu u aprovua financimi komunal për vitin 2020-2022.
Në këtë takim u diskutua për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022 – Niveli Komunal, ku me këtë dokument përcaktohen grantet qeveritare për financimin e komunave për vitin 2020 dhe orientimet për vitet 2021-2022, bazuar në prioritetet strategjike të Qeverisë në fushën e marrëdhënieve fiskale ndërqeveritare. Po ashtu, ky dokument përcakton nivelin e të hyrave vetanake të komunave për vitin fiskal 2020 si dhe parashikimin afatmesëm 2021-2022.
Parimet, kriteret dhe formulat e zbatuara për ndarjen e granteve qeveritare për financimin e komunave për vitin 2020 bazohen në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal (LFPL) dhe Tabelën 1 të projeksioneve makro-fiskale, të përgatitur nga Ministria e Financave siç specifikohet në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMFPP).
Sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022 – niveli komunal burimet e Financimit Komunal për vitin 2020-2022 janë granti i përgjithshëm, granti shtesë për financimin e kryeqytetit, granti specifik për arsim parauniversitar, granti specifik për shëndetësi primare, financimi për shëndetësinë sekondare, financimi për shërbimet rezidenciale, financimi për qendrën historike të Prizrenit, fshatin Zym dhe Hoçë e Madhe, financimi për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit, financimi për teatro, projeksionet e të hyrave vetanake komunale, si dhe investimet sipas klauzolës për investime.
Në bazë të kësaj Kornize, e cila u aprovua sot nga anëtarët e Komisionit të Granteve, Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2020 do të jetë në shumë prej 196.28 mil.€, gjë që Granti i përgjithshëm për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 ka një rritje prej 15.6 mil. Në kuadër të Grantit shtesë për financimin e kryeqytetit, për vitin 2020 kryeqyteti Prishtina përfiton grant shtesë prej 11,777,096 euro krahasuar me vitin 2019 ka një rritje prej 0.9 milion euro. Granti specifik për shëndetësi primare për vitin 2020 është në shumë prej 61.7 milionë euro nga të cilat 53.4 milionë euro janë grant bazë dhe 8.3 milionë euro kosto shtesë për paga dhe mëditje. Shpërndarja e grantit specifik për shëndetësi bazohet në sistem të hapur në përputhje me LFPL. Granti për shëndetësinë primare për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 ka një rritje prej 8.3 mil.€. Financimi për shëndetësinë sekondare për vitin 2020 është në shumë prej 2,603,077 €. Financimi i shërbimeve rezidenciale për shtëpitë e komunitetit të propozuara nga MPMS për vitin 2020 është në shumë prej 2.040,000 euro. Financimi për shërbimet rezidenciale për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 ka një rritje prej 0.44 milion euro.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr.04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit, Ligjit Nr.04/L-196 për Qendrën Kulturore Historike të fshatit Zym dhe Ligjit Nr. 04/L-62 për fshatin Hoçë e Madhe, me planifikimin e buxhetit për vitin 2020 ndahen mjete financiare në shumë prej 69,048 euro, për dy komunat si vijon: komuna e Prizrenit, në shumë prej 44,144 euro dhe komuna e Rahovecit, në shumë prej 24,904 euro.
Bazuar në Ligjin Nr. 05/L-044 për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, neni 9 Obiliqi përfiton nga inkasimi i rentës minerale nga institucioni përkatës, 20% e vlerës së kësaj rente rialokohet nga Buxheti Qendror për Buxhetin Komunal të Komunës së Obiliqit, e dedikuar në mënyrë specifike për investime në zhvillimin e komunitetit në lokacionin ku ndodhet njësia biznesore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, infrastrukturës, sportit, shëndetësisë dhe arsimit.
Për vitin 2020 komuna e Obiliqit bazuar në inkasimin e rentës minerale përfiton financim shtesë prej 4,175,567 euro.
Ndërsa, Projektet sipas klauzolës për investime të parapara për vitin 2020 janë në shumë prej 11.5 milionë euro ( në vitin 2019 janë të planifikuara 23.07 milionë euro). Në këtë takim gjithashtu u aprovuan edhe kërkesat e komunave për rritjen e stafit dhe masës monetare për teatro për vitin 2020.
Ndërsa, sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022 – niveli komunal, projeksionet e të hyrave vetanake komunale për vitin 2020 bazuar në vlerësimet makro-fiskale, janë në shumë prej 83.1 milionë euro nga të cilat 50 mil.€ janë paraparë taksa, ngarkesa dhe të hyra tjera jo tatimore, 27.5 mil.€ janë paraparë të hyra të tatimit në pronë, si dhe 5.6 mil.€ janë paraparë të hyra në tokë.