Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të komandantit të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, gjeneral Hulusi Akar, qëndroi për vizitë zyrtare në Ankara.
Gjeneral Rama, në Ankara, u prit me nderime ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë, gjeneral Hulusi Akar.
Gjeneral Rama dhe gjenerali Akar, gjatë takimit, kryesisht biseduan për marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e suksesshëm dypalësh në mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Turqisë si dhe për planet e bashkëpunimit në të ardhmen.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, vlerësoi lartë mbështetjen që Ushtria turke është duke dhënë në të gjitha fushat për FSK-në, në mënyrë që FSK-ja të vazhdojë zhvillimin dhe profesionalizimin e saj të gjithanshëm. Ai njëherësh nënvizoi përkushtimin e Komandantit të Forcave të Armatosura të Turqisë gjeneralit Akar për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së në pajisje dhe në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional.
Më tej, gjeneral Rama vizitoi muzeun ,,Kemajl Ataturk’’në Ankara, dhe i përcjellë nga ceremonia ushtarake vendosi kurora lulesh pranë varrit të themeluesit të Turqisë moderne Kemajl Ataturk.
Gjeneral Rrahman Rama dhe delegacioni i Ministrisë për FSK, në përbërje: Sekretari i përgjithshëm, z. Shkëlzen Sylaj, sekretari personal i SP, z. Florin Hoxha, shefi i Sektorit për Plane, Programe dhe Analiza, nënkolonel Sefer Isufi, atasheu i FSK-së i akredituar në Turqi, nënkolonel Bekim Osmani dhe asistenti ushtarak i komandantit të FSK-së, kapiten Jaser Mulla, më pas vizituan disa nga repartet e industrisë ushtarake turke, me ç ‘rast gjeneral Rama dhe delegacioni i MFSK-së dhe FSK-së panë nga afër disa nga pajisjet më moderne ushtarake individuale dhe kolektive, që mund të jenë me interes për FSK-në.
Vizita e komandantit të FSK-së dhe delegacionit në tërësi po realizohet në kuadër të vazhdimësisë së bashkëpunimit dypalësh në mes të FSK-së dhe Ushtrisë turke. Edhe në të ardhmen pritet që të zhvillohen vizita të ndërsjella me qëllim të thëllimit të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.